Lidhje

Qeveria diskuton me qarqet e biznesit masat e reja ekonomike


Në Tiranë, qeveria po diskuton paketën e re fiskale me qarqet e biznesit dhe grupe të tjera interesi. Kryeministri Edi Rama paraqiti në një mbledhje me Këshillit Ekonomik Kombëtar një paketë të re masash për ta nxjerrë vendin nga vështirësitë ekonomike, duke ndryshuar së pari mënyrën e taksimit të bizneseve. Zoti Rama deklaroi në mbledhjen ku morën pjesë edhe përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore se taksa e sheshtë është e padrejtë ndaj qeveria do të ndryshojë sistemin e taksimit, duke vendosur taksën ndaj të ardhurave.

Sipas tij, qeveria do të heqë taksat mbi biznesin e vogël, dhe nga ana tjetër do të rritë tatimin mbi fitimet e kompanive, duke e parë këtë jo si një rritje taksash, por si taksim të drejtë bazuar tek të ardhurat. “Ne do t’i qëndrojmë deri në fund parimit tonë themelor: kush fiton më pak do të paguajë më pak dhe kush fiton më shumë do të paguajë më shumë. Për 95 për qind të njerëzve do të ketë ulje taksash” - tha zoti Rama.

Programi ekonomik dhe paketa e re fiskale synon rimëkëmbjen e ekonomisë duke ulur defiçitin ngadalë, që të rritet ekonomia. Kryeministri Rama tha se shqetësim kryesor mbetet shlyerja qysh në fillim e borxheve të qeverisë ndaj bizneseve. Madje edhe rregullat e reja për taksat do të nisin kur të jenë shlyer këto borxhe dhe kur të jenë mbaruar investimet e lëna përgjysëm, të cilat do të punësojnë njerëzit.

Ndryshe nga socialistët, që mendojnë se Shqipëria është në krizë ekonomike dhe se qeveria Berisha la pas shumë borxhe dhe dëme të tjera ekonomike, opozita demokrate, e sapolarguar nga pushteti shprehet për të kundërtën. Partia Demokratike ka deklaruar se dorëzoi një ekonomi në rritje të vazhdueshme dhe me investime e shifra të tjera pozitiveë, por janë socialistët, që po frenojnë ekonominë me masat e tyre. Në pritje të projekt-buxhetit të ri në parlament, opozita tha se po përgatitet të kundërshtojë rritjen e taksave dhe frymën skeptike që po sjellin socialistët ndaj ekonomisë, duke mohuar rezultatet e mëparshme, qëndrueshmërinë dhe investimet vendase e të huaja.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG