Lidhje

Parlamenti gjerman mbështet paketën për Greqinë


Ligjvënësit gjermanë votuan sot në favor të paketës së tretë të shpëtimit financiar për Greqinë, megjithë një rebelim në radhët e konservatorëve të Kancelares Angela Merkel, të cilët lanë të kuptohet se ajo nuk mund t’i kërkojë përsëri parlamentit të ndihmojë Athinën.

Votimi i sotëm ishte një moment me rëndësi për Greqinë.

Marrëveshja e ndihmës prej 86 miliard eurosh për Greqinë, është e treta në pesë vjet.

Edhe ministri gjerman i financave Wolfgang Schaeuble, i cili ka ndjekur një linjë më të ashpër se zonja Merkel, e zbuti qëndrimin e tij:

"Sigurisht, pas përvojës së viteve dhe muajve të fundit, nuk ka asnjë garanci se çdo gjë do të funksionojë dhe neve na lejohet të kemi dyshime. Por do të ishte e papërgjegjshme të mos e shfrytëzojmë mundësinë për një fillim të ri në Greqi."

Por një pakicë e konsiderueshme e konservatorëve të zonjës Merkel votoi kundër paketës.

Rebelimi u pa si një shenjë se kjo paketë është shansi i fundit për ta mbajtur Greqia në Eurozonë.

Gjermania është kontribuesi më i madh ndaj paketave në ndihmë të ekonomisë greke, prandaj mbështetja e Berlinit ishte e domosdoshme për miratimin e borxhit.

Investitorët e përshëndetën votimin në parlament.

"Të paktën tani për tani, kjo zbut disa nga shqetësimet që po i trembin tregjet,” tha Jane Foley, stratege financiare në Rabobank.

Votimi i sotëm e ndihmon Athinën të shlyejë brenda afatit të së enjtes këstin e borxhit ndaj Bankës Qendrore Evropiane.

Zonja Merkel nuk është e vetmja udhëheqëse evropiane që ndodhet nën trysni.

Kryeministri holandez mund të përballet me një votë mosbesimi nga euroskeptikët.

Ministri i tij i Financave Jeroen Dijsselbloem mund të ketë qenë negociatori kryesor i marrëveshjes, si kreu i eurogrupit.

Por Kryeministri Mark Rutte do të duhet të tërhiqet nga një premtim i mëparshëm për të mos i dhënë Greqisë as edhe një qindarkë më shumë.

Edhe Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka përpara disa sfida.

Ai vazhdon të jetë popullor, megjithë kthesën që bëri duke pranuar masat shtrënguese.

Por ai nuk ka vendosur ende nëse do të kërkojë zgjedhje të parakohshme për të zgjidhur rebelimin brenda partisë së tij Syriza.

GREQIA, NEVOJË PËR MASA TË TJERA MBËSHTETËSE

Javën e kaluar ministrat e financave të Eurozonës miratuan livrimin e 29 miliardë dollarëve nga paketa e ndihmave, pasi parlamenti grek e miratoi paketën pak ditë më parë.

Kreu i Eurogrupit Jeroen Djisselbloem tha se kishte mospajtime mes ministrave të jashtëm, por se ata kishin arritur të gjenin zgjidhje.

Greqia ka nevojë për fonde nga kreditorët ndërkombëtare brenda datës 20 gusht, kur duhet të paguajë 3.4 miliardë dollarë kundrejt borxhit të Bankës Qendrore Evropiane.

Vendimi i Eurozonës i jep mundësi Greqisë të vazhdojë pagesën e borxhit dhe shmang daljen e saj nga Eurozona.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde, e cila mori pjesë në takim me telekonferencë, tha në një deklaratë se Greqia ka nevojë për masa të tjera mbështetëse që të përballojë borxhin.

Në takimin e javës së kaluar, ministrat e financave thanë se janë të gatshëm të shqyrtojnë mundësinë e masave të tjera. Megjithatë, disa vende të Eurozonës janë shprehur më parë kundër idesë për paketa të tjera në ndihmë të Greqisë.

Greqia është përfshirë nga probleme financiare prej pesë vjetësh dhe ka marrë deri tani dy paketa ndihme për të shmangur dështimin në shlyerjen e detyrimeve.

Kritikët thonë se grekët kanë duruar mjaft shkurtime dhe masa të shtrënguese financiare. Ata shprehen se masat shtrënguese të përfshira në paketën e fundit, si kusht për borxhin e ri, do ta dëmtojnë më tej ekonominë greke.

XS
SM
MD
LG