Lidhje

Studim i ri mbi pakicën rome në Shqipëri


Studim mbi pakicën rome në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:01 0:00

Organizata “Save the Children” dhe “Roma Active Albania” sapo kanë përgatitur një studim mbi gjendjen e vështirë të pakicave rome në rajonin e Fierit, Pogradecit dhe të Korçës. Studimi është pjesë e projektit rajonal të Evropës Jug-Lindore “Liderët e Rinj Romë në Veprim”, financuar nga Departamenti i Shtetit i SH.B.A.-ve, i cili përfshin Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën. Kërkimet në terren u kryen nga vetë të rinjtë, që intervistuan disa qindra persona me bashkëpunimin e afërt të bashkësive rome, për të zbuluar vështirësitë e vërteta të jetës së tyre.

Gjetja kryesore e raportit është se të rinjtë rom përjashtohen masivisht nga mundësitë për t'u aftësuar dhe mënjanohen nga jeta social kulturore. Ky përjashtim dhe diskriminim i gjerë rrëzon ndjeshëm cilësinë e jetës dhe shëndetit të tyre. Sipas intervistave, papunësia është shqetësimi kryesor i tyre, ndërsa dëshirën e madhe për punë e shprehin me vetëpunësimin në bujqësi, në riciklim dhe në tregti.

Studim mbi pakicën rome në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:01 0:00

Raporti thekson se për vuajtjet e pakicave rome jo vetëm që nuk ka ndonjë kujdes të veçantë, por edhe mungojnë fare të dhënat për numrin dhe vendndodhjen e tyre. Në zonat me popullsi rome dhe egjiptiane, nuk ka një numër të saktë të familjeve të tyre, sepse deklarimi i etnisë bëhet mbi baza vullnetare. Studimi pranë bashkësive rome zbuloi se krahas papunësisë dhe moskujdesit social për ta, një tjetër vështirësi e madhe e tyre është mungesa e transportit publik për të shkuar në punë, në shkollë dhe veprimtari të tjera integruese.

Po ashtu, familjet dhe të rinjtë rom nuk marrin pjesë në institucionet vendimarrëse vendore apo qendrore. Këshillat bashkiake dhe komunale rrallë diskutojnë për romët dhe asnjëherë nuk mendojnë zgjidhje të plota për ta, por vetëm u zgjidhin atyre ndonjë problem individual.

Braktisja e shkollës nga fëmijët rom është një dukuri mbizotëruese në moshat 13 deri në 15 vjeç, kryesisht nga vajzat rome. Raporti thekson se braktisja e shkollave nga romët vjen nga varfëria dhe përjashtimi, si edhe nga vendndodhja e shkollave, infrastruktura e dobët e tyre dhe cilësia e ulët e mësimdhënies. Madje në disa raste janë zbuluar edhe klasa dhe shkolla të segreguara, pra klasa vetëm me rom dhe shkolla vetëm me rom, ku nuk shkojnë fëmijët e shumicave.

Romët përballen me sfida të integrimit social dhe ekonomik, ndërsa të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare shkelen përditë. Fëmijët braktisin shkollat, prindërit janë pa banesa e pa punë dhe nuk përfitojnë nga kujdesi shëndetësor dhe social. Varfëria në mesin e romëve është e përhapur gjerësisht, po aq sa edhe mënjanimi social ekonomik. Në intervistat e raportit të rinjtë rom thonë sesa të pashpresë ndihen për të ardhmen e tyre dhe për të pasur një jetesë të denjë për veten dhe shoqërinë.

Studimi u përgatit nga projekti Liderët e Rinj Rom në Veprim, i cili synon të ndriçojë vështirësitë e jetës së pakicave rome egjiptiane në Shqipëri, si dhe të përgatisë një grup të ri përfaqësues të tyre me shkollim dhe aftësi bashkëkohore, të cilët të përcjellin kërkesat e pakicave në institucionet vendimmarrëse. Projekti synon që një brez i ri drejtuesish rom mund të kërkojë më me forcë të drejtat e tyre si qytetarë të barabartë, mund t'i mbrojë ata më mirë nga diskriminimi, duke përmirësuar përfshirjen sociale.

XS
SM
MD
LG