Lidhje

Të drejtat e grave në Pakistan dhe Afganistan

  • Sharon Behn

Konfliktet e tejzgjatura në Pakistan dhe Afganistan kanë pasur një efekt veçanërisht të ashpër mbi gratë në të dy vendet. Korespondentja e Zërit të Amerikës Sharon Behn bisedoi me analistë se si terrorizmi, konfliktet sektare, kriminaliteti dhe një kulturë mosndëshkimi janë duke kufizuar mundësinë e grave për të shkuar në shkollë dhe për të punuar jashtë shtëpisë, duke mbetur në një hapësirë publike gjithnjë e më të vogël.

Gjatë dekadës së fundit, gratë kanë shënuar arritje të rëndësishme nga ana shoqërore, politike dhe financiare si në Pakistan edhe në Afganistan. Por analistët thonë se arritjet janë nën kërcënim.

Në Afganistan, talibanët po rifitojnë kontrollin e disa zonave të vendit dhe po imponojnë përsëri besimin e tyre se gratë nuk duhet të arsimohen ose të marrin pjesë në shoqëri jashtë shtëpisë.

Zoti Nader Nadery, drejtor i Njësisë së Kërkimeve dhe Vlerësimeve të Afganistanit, thotë se në zonat ku mungon sundimi i ligjit, nuk ka asnjë ndëshkim për ata që kryejnë dhunë, sidomos ndaj grave.

Në ato zona, thotë ai, mbrojtja bëhet çështja parësore por shpesh përdoret kundër vetë grave.

“Në disa raste, çështja e mbrojtjes bëhet një justifikim për meshkujt të cilët qëllimisht pengojnë gratë të jenë pjesë e shoqërisë, ekonomisë, politikës, dhe ata e përdorin si justifikim për të thënë se po ju shtyjmë të rrini në shtëpi se duam që të jeni të mbrojtura. Kjo është ajo që talibanët ishin duke u përpjekur për të bërë, dhe ende po e bëjnë.”
Hulumtuesi social pakistanez Nazish Brohi thotë se në zonat ku kanë ndikim veprimet e talibanëve pakistanezë, vajzat janë duke u vënë nën shënjestër, dhe gratë janë tërhequr prapa perçes dhe në shtëpitë e tyre.

“Mendoj se mbi 500 shkolla vajzash janë bombarduar. Gratë këshilltare, të cilat janë gratë e zgjedhura dhe të angazhuara në poste politike, janë kërcënuar në mënyrë specifike nga talibanët dhe u është kërkuar ose të tërhiqen nga sfera politike ose të përballen me persekutim. Dy prej tyre u vranë. Si rezultat, pjesa tjetër e tyre ose ka dhënë dorëheqje, ose vetëm thjesht ndaluan së marruri pjesë.”

Në jug dhe jugperëndim të Pakistanit, dhuna etnike gjithashtu ka detyruar gratë të mbulojnë fytyrat e tyre dhe ka ndaluar rëndë lëvizshmërinë e tyre sociale.
Zoti Brohi thotë se me përkeqësimin e përgjithshëm të sundimit të ligjit në Pakistan, gratë e ndjejnë se shteti nuk mund t’i mbrojë ato. Në vend të kësaj, ato i janë drejtuar grupeve lokale për ndihmë dhe mbrojtje.

“Duket se po dominon mosndëshkimi, se shteti nuk është i gatshëm t’i mbajë përgjegjës këtsa autorë krimesh për shkak të paaftësisë së vetë shtetit, mungesës së vullnetit dhe paaftësisë së përgjithshme.”

Por analistët thonë se pavarësisht kërcënimit me dhunë ose dhe me vdekje, gratë ende po ecin përpara në të dy vendet.

Në Afganistan, ku gratë kujtojnë mirë jetën nën sundimin e talebanëve kur ata dënoheshin kur dilnin nga shtëpia pa një mashkull pranë ose edhe në se zbulonin qoftë edhe disa centimetra të kyçit të këmbës, zoti Nadery thotë se gratë janë duke luftuar kundër ligjeve që do të cënonin të drejtat e tyre.

“Në secilën prej këtyre betejave gratë afgane kanë luftuar. Ato dolën në rrugë. Ato shkuan në parlament. Ato shkuan në zyrën e presidentit, duke trokitur në derën e tij.”

Dhe në cilado nga këto beteja, gratë fituan.
XS
SM
MD
LG