Lidhje

Përpjekje për të ulur tensionet mes Pakistanit e Afganistanit


Pakistani është zotuar të mbështesë përpjekjet për paqe në Afganistan duke shfrytëzuar kontaktet dhe ndikimin e tij në radhët e Talibanit. Por gjatë vizitës dje në Kabul, shefi i ri pakistanez për politikën e jashtme hodhi poshtë zërat se Pakistani synon shpërbërjen e Afganistanit, apo një rol në qeverisje për Talebanin pas largimit të forcave ndërkombëtare.

Këshilltari i kryeministrit të Pakistanit për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme, Sartaj Aziz, ishte në Kabul me synimin për të ulur tensionet mes dy vendeve dhe për të ringjallur përpjekjet për paqe mes përfaqësuesve afganë dhe atyre talebanë.
Zoti Aziz bëri komente për shtypin pas takimit me Ministrin e Jashtëm afgan Zalmay Rassoul:

"Kam sjellë një mesazh për vullnet të mirë nga Pakistani. Qeveria e re e kryeministrit Nawaz Sharif është shumë e angazhuar për fuqizimin e lidhjeve vëllazërore të Pakistanit me popullin afgan. Synimi kryesor i vizitës sime është të përcjell një ftesë zyrtare nga kryeministri Nawaz Sharif për President Karzain për të vizituar Pakistanin.

Këshilltari e zhvilloi vizitën vetëm pak ditë pasi Talebani hapi një zyrë të re politike në Katar, që u pasua me kritika të forta nga Presidenti afgan Hamid Karazi. Zyra ishte pjesë e përpjekjeve për të angazhuar Talibanin në procesin e paqes dhe ripajtimit para se forcat ndërkombëtare të largohen nga vendi.

Presidenti Karzai akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Pakistanin fqinj se po i lejon Talibanit të krijojë një qeveri në mërgim dhe nuk pranoi të dërgonte negociatorë për paqe në Katar.

Reagimi i fortë pezulloi bisedimet. Zyrtarët afganë kanë ngritur pretendimin se zyra e Talibanit ishte pjesë e një komploti ose nga Shtetet e Bashkuara ose nga Pakistani për të shpërbërë Afganistanin në vija etnike.

Uashingtoni i ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar si marrëzira. Diplomati pakistanez Aziz, gjatë vizitës në Kabul theksoi të njëjtin mesazh duke hedhur poshtë idenë se Islamabadi po përpiqet të imponojë një zgjidhje për konfliktin në Afganistan:

"Nuk ka kuptim të diskutojmë një sistem apo një tjetër, pasi zgjidhja nuk do të jetë për ne, por për afganët dhe ata vetë duhet të vendosin çfarë sistemi duan pas 2014”.

Pakistani ndihmoi Talibanin të vinte në pushtet në Afganistan para ndërhyrjes amerikane që e rrëzoi nga pushteti në vitin 2001. Udhëheqësit afganë dyshojnë se agjencia pakistaneze e zbulimit mbetet në kontakt me kryengritjen talibane në përpjekje për të ndikuar tek proceset në këtë vend dhe për të nxitur një lëvizjes islamiste.

Zoti Aziz pohoi se Pakistani ka kontakte me Talibanin, si rezultat i të kaluarës, por ai shtoi se Talibani nuk kontrollohet nga Islamabadi. Ai ofroi ndihmën e Pakistanit në të ardhmen në rolin e konsulentit në kontaktet mes qeverisë afgane dhe Talibanit.

Megjithatë, Sartaj Aziz theksoi se u takon afganëve ta udhëheqin drejt suksesit procesin e paqes. Ai tha se shpreson që vizita e mundshme e zotit Karzai në Islamabad do të ndihmojë për të ulur tensionet dhe për të thelluar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve fqinje.
XS
SM
MD
LG