Lidhje

Pakistani merr masa për sulmin në Peshawar


Zyrtarët në Pakistan po marrin hapa për t’iu përgjigjur sulmit të djeshëm të talebanëve ndaj një shkolle në Peshawar, ndërsa vendi filloi tre ditë zie kombëtare për 132 fëmijët dhe 9 personat e tjerë që u vranë në këtë sulm.

Kryeministri Nawaz Sharif miratoi sot një urdhër për heqjen e moratoriumit për dënimin me vdekje për rastet e terrorit që ekzistojnë që nga viti 2008.

Zoti Sharif po ashtu u zotua ta vazhdojë ofensivën kundër militantëve në rajonin fisnor në veriperëndim të vendit, pranë kufirit afgan.

Talebanët e Pakistanit thanë se e kishin kryer sulmin dje si hakmarrje ndaj masave të ushtrisë për ndjekjen e kryengritësve.

Ndërkohë, gjenerali i ushtrisë pakistaneze Raheel Sharif dhe kreu i shërbimit të zbulimit, Rizwan Akhtar, shkuan sot në Kabul për t’u takuar me presidentin afgan Ashraf Ghani dhe me gjeneralin amerikan John Campbell, komandant i NATO-s në Afghanistan.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ayaz Gyl thotë se kjo është një vizitë e paprecedent dhe mund të sinjalizojë një çarje në marrëdhëniet e përmirësuara mes Pakistanit dhe Afghanistanit.

XS
SM
MD
LG