Lidhje

IS-i merr përsipër sulmin në Pakistan që vrau afro 60 veta


.

.

Autoritetet në Pakistan thanë se afro 60 veta u vranë dhe mbi 120 u plagosën nga sulmues vetëvrasës në një qendër trajnimi të policisë në qytetin jugperëndimor, Quetta.

Grupi militant Shteti Islamik morri përsipër përgjegjësinë për një sulm nëpërmjet një deklarate të publikuar në agjencinë e tij të lajmeve Amaq.

Rreth mesnatës sulmuesit hynë në hotelin ku ndodheshin rekrutët brenda kompleksit të policisë dhe filluan të shtijnë mbi ta.

Ata morën një numër pengjesh para se trupat pakistaneze të rrethonin vendin dhe të përballeshin me personat e armatosur.

Beteja për të pastruar kompleksin zgjati për disa orë. Dy nga sulmuesit hodhën veten në erë, ndërsa i treti u qëllua gjatë shkëmbimit të zjarrit më forcat e sigurisë, duke i dhënë fund rrethimit pak para agimit të së martës, tha një zyrtar krahinor.

"Viktimat ishin të paarmatosur dhe normalisht në atë kohë ose janë duke pushuar ose duke u marrë më telefonate tyre në kohën e lirë. Ata u kapën në befasi" i tha Zërit të Amerikës zëdhënësi i qeverisë krahinore Anwar-ul Haq Kakar.

Disa nga policët dhe personat e tjerë që ishin brenda ndërtesës ikën duke u hedhur nga dritaret. Ata u thanë gazetarëve se persona të armatosur dhe me maska filluan të shtënat sapo hynë brenda.

Kakar tha se autoritetet ende kanë punë në përcaktimin e numrit të sulmuesve. Ai shtoi se kishte parë trupin e njërit prej tyre dhe sipas hetimeve fillestare, sulmuesit mund te kenë qenë militantë uzbekë.

Zëdhënësi supozoi se operativët afgan dhe ata të zbulimit nga India rivale, kanë ndihmuar këtë sulm vdekjeprurës sikundër disa akte të mëparshme terroriste që kishin pasur cak këtë provincë.

"Ne jemi mjaft të qartë në lidhje me këtë, ata po trajtohen nga Afganistani dhe ishin shtetas afganë sipas vlerësimeve fillestare ", pohoi Kakar. Autoritetet në Afganistan dhe Indi nuk kanë komentuar ende lidhur me këto akuza.

Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif, ka dënuar atë që ai e quajti një sulm frikacak. Shtetet e Bashkuara po ashtu e kanë dënuar sulmin terrorist në kryeqytetin e provincës Baluchistan.

"Ne qëndrojmë me popullin e Pakistanit dhe Qeverinë e Pakistanit në këtë kohë të vështirë, dhe do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në Pakistan dhe në të gjithë rajonin për të luftuar kërcënimet nga terrorizmi," tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby në Uashington.

Nga ana e saj, qeveria afgane akuzon agjencinë pakistaneze të spiunimit se ka mbështetur fshehurazi talebanët dhe aleatin e tyre, rrjeti Haqqani, që kanë organizuar sulme të ngjashme në anën e tyre të kufirit.

Komandanti i forcave të NATO-s në Afganistan, gjenerali John Nicholson, këtë javë sërish ka pranuar se kufiri i gjatë gati 2600 kilometra paraqet një sfidë për të dyja vendet.

"Ky është një rajon kufitar dhe ne i shohim kryengritësit që lëvizin në të dyja rrugët përtej kufirit, disa nga Afganistani në Pakistan dhe sigurisht ata të rrjetit Haqqani dhe talebanët duke lëvizur nga Pakistani në Afganistan", tha gjenerali Nicholson për NBC-në.

Ai tha se ka nevojë që afganët të rrisin numrin e pikave kufitare në anën e tyre dhe të dy vendet fqinje gjithashtu duhet të rrisin procedurat e tyre të koordinimit.

Provinca pakistaneze, veçanërisht Quetta, ka qenë një vend mjaft i prekur kohëve të fundit nga sulmet e militantëve. Një shpërthim vetëvrasës në fillim të gushtit jashtë një spitali në qytet kishte vrarë më shumë se 70 njerëz.

XS
SM
MD
LG