Lidhje

Pakistan: Rifillon transporti i furnizimeve për NATO-n


Pakistani i kishte mbyllur rrugët e tranzitit për furnzimet pasi një goditje ajrore amerikane shkaktoi vdekjen e 24 ushtarëve pakistanezë

Kamionë me furnizime të NATO-s po rifillojnë dërgesat në Afganistan përmes Pakistanit, pas një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit që i dha fund bllokadës së Islamabadit.

Në qytetin port të Karaçit, shoferë dhe punonjës të tjerë i përgatitën kamionët për të transportuar paisjet. Por ndërsa shoferët bëheshin gati për rifillimin e transportit, shoqata e kamionistëve të vendit i bëri thirrje qeverisë për masa mbrojtëse shtesë.

Talebanët e Pakistanit u zotuan të vazhdojnë sulmet ndaj autokolonave të NATO-s pak pasi Pakistani ra dakord dje të rihapte rrugët.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton njoftoi për rihapjen e rrugëve pas një bisede telefonike me Ministren e Jashtme pakistaneze Hina Rabbani Khar. Zonja Clinton tha se të dyja zyrtaret kishin shprehur keqardhjen për humbjen e jetëve nga të dyja vendet në luftën kundër terroristëve dhe se Shtetet e Bashkuara ndjejnë keqardhje për humbjet mes ushtarëve pakistanezë.

Pakistani i kishte mbyllur rrugët e tranzitit për furnzimet pasi një goditje ajrore amerikane shkaktoi vdekjen e 24 ushtarëve pakistanezë përgjatë kufirit me Afganistanin nëntorin e kaluar.
XS
SM
MD
LG