Lidhje

Pakistani dënon sulmin me avion pa pilot


Pakistani dënoi një sulm me avionë pa pilot, që mendohet se është kryer nga Shtetet e Bashkuara, si pasojë e të cilit u vranë 17 persona, të cilët mendohet se ishin ekstremistë në rajonin fisnor, veri-perëndimor, të vendit.

Përmes një deklarate ministria e Jashtme pakistaneze theksonte se sulme të kësaj natyre janë jo-produktive dhe pasojat e tyre ndjehen tek të drejtat e njeriut dhe ato humanitare. Zyrtarët pakistanezë thanë se aeroplani goditi një ndërtesë në afërsi të zonës së tregut kryesor të qytetit Miranshah, në Waziristanin Verior, rajon i njohur si qendër militantësh islamikë.

Ata thanë po ashtu se me sa duket në objektivin e sulmit ishte rrjeti Haqqani, me lidhje me Al Kaidën. Sulmi i sotëm është i dyti që kur kryeministri pakistanez Navaz Sharif mori detyrën pas fitores së tij në zgjedhjet e majit.

Në qershor zoti Sharif thirri një zyrtar të ambasadës amerikane për të protestuar zyrtarisht ndaj sulmeve të telekomanduara, disa orë pas një sulmi me raketa në Vaziristanin Verior. Ai ka bërë thirrje që t’i jepet fund sulmeve, duke thënë se ato shkelin sovranitetin e vendit të tij.
XS
SM
MD
LG