Lidhje

OKB hetojnë për sulmet me avionë pa pilot


Kombet e Bashkuara kanë ndërmarrë hetime për sulmet e avionëve pa pilot dhe vrasjet e individëve të caktuar në operacioniet kundër terrorizmit. Hetimi pëfshin 25 sulme të Pakistan, Jemen, Somani, Afganistan dhe në territoret palestineze. Ai do të përqendrohet gjithashtu në vrasjen e civilëve dhe plagosjet e shkaktuara nga sulmet.

Avokati britanik, Ben Emerson, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për kundërterrorizmin dhe të drejtat e njeriut do të kryejë hetimin. Emerson tha se përdorimi i teknologjisë për sulmet pa pilot do të vazhdojë të përdoret, por duhen marrë masa ligjore dhe operacionale për të rregulluar përdorimin e tij.

Shumica e sulmeve të avionëve pa pilot janë ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara. Izraeli i ka përdorur ato dhe vende të tjera kanë mundësi përdorimi të kësaj teknologjie. Pakistani ishte një nga tre vendet që kërkoi ndërmarrjen e hetimin, duke dënuar sulmet amerikane në objektivat përgjatë kufirit të tij me Afganistanin.

Udhëheqësit në Pakistan janë shprehur shumë të revoltuar nga planet që flitet se kanë Shtetet e Bashkuara për të vazhduar sulmet e debatueshme me avionë pa pilot kundër objekteve që dyshohen si baza të al-Kaidës në tokën pakistaneze. Ata janë duke e quajtur atë "të ngjashme me një luftë të pandërprerë" dhe thonë se ky veprim është plotësisht kundër komenteve të Presidentit Barak Obama tha në fjalimin e tij të inaugurimit të hënën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ayaz Gul njofton nga Islamabadi.

Sulmet amerikane me avionë pa pilot në rajonet e Pakistanit përgjatë kufirit me Afganistanin mbeten shumë të debatueshme dhe të papëlqyera në Pakistan.

The Washington Post njoftoi javën e kaluar se zyrtarë amerikanë pothuajse kanë përfunduar një manual kundër terrorizmit që do të përdoret gjatë mandatit të dytë të presidentit Obama dhe që vendosË rregulla të rrepta për operacionet që synojnë eliminimin e individëve të caktuar.

Megjithatë gazeta citoi zyrtarë të kenë thënë se para se CIAs t’i kërkohet të zbatojë rregullat e reja kundër-terrorizmit, agjencia do të lejohet të vazhdojë të dërgojë avionë pa pilot për të hedhur raketa mbi objekte që mendohet se përdoren nga al-Kaida dhe talebanët në Pakistan për të paktën një vit tjetër.

Ministrja e Jashtme e Pakistanit, Hina Rabbani Khar i tha senatit, dhomës së ulët të parlamentit të Pakistanit, se vendi i saj i konsideron sulmet amerikane me avionë pa pilot si shkelje të sovranitetit dhe beson se ato nuk janë produktive në luftën kundër terrorizmit.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Mbrojtjen Mushahid Hussain tha se vazhdimi i sulmeve të tilla do të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë bashkëpunimin e Pakistanit për fuqizimin e paqes në Afganistan, për të lejuar forcat amerikane dhe të Natos të tërhiqen nga ai vend deri në fund të vitit të ardhshëm. Por senatori tha se është e çuditshme për Pakistanin që Uashingtoni synon të vazhdojë luftën përmes sulmeve pa pilot në territorin pakistanez.

"Kjo është kundër angazhimeve që presidenti Obama bëri në fjalimin e inaugurimit të tij kur tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të përballojnë dot një luftë të pafund. Por politika që po ndiqet me Pakistanin është pothuajse një luftë e pandërprerë e cila do të jetë gjithashtu kundër-produktive, shkelje e sovranitetit të Pakistanit dhe gjithashtu nxit anti-amerikanizmin në radhët e popullit të Pakistanit."

Pakistani e ka dënuar publikisht fushatën e sulmeve me avionë pa pilot dhe kërkon që Shtetet e Bashkuara t’u japin fund atyre, duke thënë se jo vetëm që ato shkelin sovranitetin e vendit, por viktimat e rastit, të shkaktuara nga sulme të tilla, nxisin ekstremizmin në rajon.

Zyrtarët amerikanë megjithatë, këmbëngulin se sulmet me avionë pa pilot po japin rezultate në luftën kundër terrorizmit, duke thënë se kanë shkaktuar ndërprerje në rrjetin e al-Kaidës.

Por senatori pakistanez Mushahid Hussain beson se Uashingtoni mund të tregohet më i gatshëm të dëgjojë argumentat e vendit të tij për shkak të asaj që ai e quan “realitet të ri në terren”.

"Shtetet e Bashkuara do të jenë të varura më shumë nga Pakistani, nga qeveria pakistaneze, forcat e armatosura të Pakistanit dhe shërbimet e sigurimit për të arritur një tërheqje pa probleme nga Afganistani. Në këtë kontekst, do të thosha se Pakistani është në pozitë më të favorshme përballë Uashingtonit për të bërë realitet perspektivën e tij."

Shtetet e Bashkuara kanë kryer qindra sulme ajrore me avionë pa pilot në zonën fisnore të administruar nga qeveria e Pakistanit ku al-Kaida dhe militantët e kërkuar afganë besohet se kanë krijuar baza, nga të cilat ndërmarrin sulme mbi objektiva përgjatë kufirit me Afganistanin.

Është e vështirë të grumbullohen të dhëna të sakta për dëmet e shkaktuara nga këto sulme pasi është shumë e rrezikshme për gazetarët të shkojnë në zonat fisnore të Pakistanit. Organizata të pavarura që mbledhin të dhëna për sulmet llogarisin se gati 3 mijë e 300 njerëz kanë vdekur nga këto sulme në Pakistan, përfshirë disa qindra civilë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG