Lidhje

Operacion i përgjithshëm pakistanez në Vaziristanin Verior

  • Ayaz Gul

Pakistani ka ndërmarrë atë që e cilëson si një ofensivë vendimtare kundër bazave terroriste të huaja e vendase në territorin fisnor të Vaziristanit Verior. Disa zyrtarë amerikanë e kanë përshkruar këtë rajon si epiqendër të terrorizmit ndërkombëtar.

Njoftimi për operacionin e gjerë ushtarak u bë disa orë pasi zyrtarët njoftuan ndërmarrjen e një seri goditjesh nga ajri në orët e para të ditës kundër objekteve që dyshohen si baza ekstremiste, duke vrarë mbi 100 vetë që ata i përshkruan si ekstremistë të huaj në distriktin e Vaziristanit.

Një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze tha se qeveria u ka dhënë urdhër trupave të eliminojnë “terroristët” nga zona dhe të mos lejojnë “vendosjen e armikut” në pika të tjera në vend.

Ministri i Mbrojtjes Khawaja Asif thotë se qeveria është detyruar të përdorë forcën pasi përpjekjet për ta eliminuar këtë problem përmes bisedimeve të paqes me Talebanin pakistanez nuk dhanë sukses.

Pavarësisht nga bisedimet, tha ai në komentet për një stacion televiziv lokal, kryengritësit kanë vazhduar sulmet në vend:

Ministri tha se në Vaziristanin Verior ka filluar një luftë vendimtare. Ai shtoi se nëse në zonë ka luftëtarë nga vende të tjera, të cilët kanë thyer ligjin pakistanez, ka ardhur koha që ata ta paguajnë.

Zyrtarët thonë se ndër ata që u vranë gjatë sulmeve ishin edhe organizatorët e sulmeve të javës së kaluar në aeroportin e Karaçit, ku gjetën vdekjen 50 vetë, përfshirë 10 autorët e sulmit. Talebani pakistanez mori përgjegjësinë duke thënë se sulmi u krye nga operative të degës së tij në Uzbekistan.

Sulmi rezultoi në presion mbi Kryeministrin Nawaz Sharif për të braktisur procesin e pashpresë të paqes me ekstremistët dhe për të ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë kundër tyre.

Nafeesa Shah, anëtare e opozitës në parlamentin pakistanez thotë se thuajse të gjitha partitë e mbështesnin nismën e qeverisë për paqe, por kjo nismë nuk funksionoi dhe terrorizmi po shkallëzohej në vend.

Zyrtarët ushtarakë thonë se u kanë kërkuar rojeve afgane të kufirit të mbyllin anën e tyre të vijës kufitare për të lehtësuar veprimet pakistaneze dhe për të mos lejuar largimin e ekstremistëve përmes kufirit.
XS
SM
MD
LG