Lidhje

Pakistan: Urdhër arresti për kryeministrin Ashraf


Gjykata e Lartë ngriti akuza për korrupsion, të cilat e kanë burimin nga koha kur zoti Ashraf mbante postin e ministrit të ujrave dhe energjisë

Gjykata e Lartë e Pakistanit dha urdhër për arrestimin e kryeministrit Raja Pervez Ashraf në një çështje korrupsioni, ndërkohë që protestuesit anti-qeverisë janë mbledhur në kryeqytet, duke bërë thirrje për shpërbërjen e qeverisë.

Sipas njoftimeve të televiziontit pakistanez, zyrtarët thanë se gjykata dha urdhër për arrestimin e kryeministrit bashkë me 15 persona të tjerë në një çështje që ka lidhje me centralet private të energjisë. Akuzat e kanë burimin nga koha kur zoti Ashraf mbante postin e ministrit të ujrave dhe energjisë.

Ai akuzohet se ka marrë ryshfete, ndërsa planifikoheshin projekte për ndërtimin e centraleve energjitike të Pakistanit. Zoti Ashraf i ka mohuar akuzat.

Vëzhguesit thonë se urdhër arresti mund të acarojë edhe më tej tensionet mes qeverisë dhe gjykatave.

Po sot, kleriku popullor pakistanez, Tahir-ul Qadri u bëri thirrje pasuesve të tij, të mbledhur përreth parlamentit në Islamabad, që të vazhdojnë protestën kundër qeverisë dhe kundër korrupsionit. Helikopterët e ushtrisë fluturuan mbi zonë, ndërsa përkrahësit e klerikut Qadri, që valvisnin flamuj, pushtuan rrugët e kryeqytetit për të dytën ditë.

Po sot më herët, forcat e sigurimit përdorën gazin lotsjellës kundër mijëra demonstruesve dhe hapën zjarr në ajër për të ruajtur qetësinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG