Lidhje

Pakistani reagon ndaj vrasjes së udhëheqësit taleban


Qeveria pakistaneze ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për goditjen e telekomanduar që la të vrarë udhëheqësin e Talebanit në Pakistan Hakimullah Mehsud, duke thënë se vrasja e tij kërcënon bisedimet e paqes me këtë organizatë ekstremiste.

Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Chaudhry Nisar Ali Khan, tha se goditja e ndërmarrë nga CIA që la të vdekur të premten udhëheqësin ekstremist Hakimullah Mehsud ka sabotuar përpjekjet e qeverisë për të negociuar një përfundim paqësor të kryengritjes së gjatë të Talebanit.

Në komentet për median, zoti Khan tha se një delegacion qeveritar ishte nisur për bisedime me komandantin taleban kur shtëpia e tij u godit nga raketa.

Ministri i Informacionit Pervaiz Rashid tha dje se shpreson që vrasja e Mehsudit nuk do të pengonte përpjekjet e paqes.

Autori dhe analisti Ahmed Rashid thotë se goditja amerikane ndjek një metodë të njohur të amerikanëve:

"Në një mënyrë, amerikanët e kanë bërë zakon të ndërpresin çdo lloj dialogu mes ushtrisë pakistaneze apo qeverisë pakistaneze me Talebanin pakistanez duke përdorur avionë të telekomanduar për të eliminuar disa figura të rëndësishme. Pikërisht të njëjtën gjë bënë edhe këtë herë”.

Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kapjen e Mehsudit. Ai akuzohet për përfshirje në sulmin vdekjeprurës ndaj kompleksit të CIA-s në Afganistan në 2009 si dhe tentativën për sulm me bombë në Sheshin Times Square të Nju Jorkut në 2010.

Udhëheqësi 34-vjeçar kishte marrë në dorë udhëheqjen e organizatës terroriste që nga 2009 kur u vra udhëheqësi i saj i mëparshëm, po nga një goditje me avion të telekomanduar.

Në Pakistan pati reagime të ndryshme lidhur me njoftimin për vrasjen e Mehsudit. Disa e përshëndetën vrasjen e komandantit ekstremist, që konsiderohet përgjegjës për vdekjen e mijëra civilëve dhe forcave të sigurisë në Pakistan. Por të tjerë thanë se Uashingtoni kishte shkatërruar shanset për bisedimet e paqes.

Analisti Raza Rumi, bashkëpunëtor shkencor në Institutin Jinnah e hodhi poshtë këtë argument. Ai thotë se udhëheqësit kishin zgjedhur idenë e negociatave sa për sy e faqe, pasi kjo alternativë nuk ofronte shumë shpresë për përparim. Zoti Rumi është i mendimit se goditja kundër Mehsudit u mor me mbështetjen e heshtur të Pakistanit.

"Pa dyshim sulme të tilla që kërkojnë informata ekzakte bazohen në burime lokale. Ka zëra edhe në median lokale se për një sulm të tillë duhet të ketë pasur një farë bashkëpunimi për t’i identifikuar objektivat që u sulmuan”.

Disa komandantë të Talibanit thanë dje se kishin emëruar Khan Said Sajna për të zënë vendin e Mehsudit. Sanja, i cili thuhet se i përket të njëjtit grup fisnor si Mehsudi, besohet se gëzon mbështetje në radhët e Talebanit në Pakistan, por jo të aleatëve të organizatës në Afganistan.

Por media pakistaneze citoi një zëdhënës të Talebanit, Maulana Tariq Azam sipas të cilit ende nuk është zgjedhur një udhëheqës i ri. Ai tha se një konferencë e udhëheqësve të Talebanit do të vendoste brenda pak ditësh.

Megjithëse ekzistojnë si organizata të veçanta, fraksionet e Talebanit mbështesin njëri-tjetrin. Paqartësia për emërimin e Sajnas pasqyron fragmentimin e mëtejshëm të Talebanit në Pakistan, duke e bërë edhe më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje paqësore të suksesshme.
XS
SM
MD
LG