Lidhje

Pakistani shqyrton ofertën e re të Talebanëve


Partitë opozitare të Pakistanit dhe aleatët e tyre politikë po shtojnë presionin ndaj qeverisë së koalicionit për të shqyrtuar një ofertë paqeje të Talebanëve të Pakistanit. Përkrahësit shpresojnë që kjo përpjekje t'i hapë rrugën garantimit të paqes gjatë zgjedhjeve të afërta kombëtare. Megjithatë analistët janë mosbesues për vlerën e bisedimeve të paqes në një kohë kur opinioni në vend mbetet i ndarë për mënyrën sesi të luftohen militantët. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ayaz Gul njofton nga Islamabadi.

Që kur Talebanët e Pakistanit nxorrën një video para disa ditësh, ku ofronin një sërë kushtesh për bisedime paqeje, nisma është vlerësuar nga partitë e opozitës si edhe ish-kryeministri Nawaz Sharif si një ide që qeveria duhet ta ndjekë.

Zyrtarët qeveritarë as nuk e kanë pranuar as nuk e kanë refuzuar ofertën për bisedime paqeje nga grupi Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP). Zëdhënësi presidencial, senatori Farhattukkah Babar, thotë se qeveria është angazhuar në bisedime në të kaluarën, në përpjekje për të ndalur dhunën.

“Ne nuk jemi kundër dialogut. Por nëse dialogu dështon dhe ata që janë kundër ideologjisë së Pakistanit, kundër kushtetutës dhe parlamentit të Pakistanit, vazhdojnë me militantizëm, atëherë agjencitë e rendit do të veprojnë”.

Forcat pakistaneze të sigurisë luftojnë kundër ekstremistëve talebanë prej pothuajse një dekade. Por fushata ushtarake nuk ka arritur të çrrënjosë bazat kryengritëse nga distriktet fisnore përgjatë kufirit me Afganistanin.

Vitet e fundit, autoritetet e Pakistanit janë përpjekur t’i japin fund luftimeve në disa zona, përmes marrëveshjeve të paqes me disa fraksione talebane. Por këto marrëveshje nxitën kritika ndërkombëtare për kufizimin e të drejtave në zonat e kontrolluara nga Talebanët dhe nuk sollën paqe afatgjatë.

Pavarësisht nga këto dështime të kaluara, disa parti kryesore islamike në Pakistan të cilat prej kohësh kanë qenë kundër përdorimit të forcës ushtarake ndaj militantëve, vazhdojnë të mbështesin hapur bisedimet e paqes.

Megjithatë media pakistaneze është bërë më kritike. Së fundmi, editorialet e gazetave kanë paralajmëruar partitë politike që të mos plotësojnë kërkesat e militantëve, por të bashkëpunojnë për të mundur forcat esktremiste që po përdorin dhunën për të imponuar ideologjinë e tyre tek pakistanezët.

Zëdhënësi i talebanëve të Pakistanit, Ehsan i tha Zërit të Amerikës në një bisedë telefonike nga një vend i paidentifikuar se grupi i tij nuk ishte tërhequr nga oferta dhe vazhdon të presë përgjigje nga qeveria.

Ai i justifikoi sulmet e fundit ndaj forcave të sigurisë, pavarësisht nga oferta për bisedime paqeje, duke thenë se “lufta e tyre do të vazhdojë dhe çdo armëpushim do të jetë i lidhur me përparimin në bisedimet e propozuara të paqes”.

Mushahid Hussein është kreu i Komisionit të Mbrojtjes së Senatit dhe anëtar i një partie me peshë të koalicionit. Ai thotë se oferta për bisedime paqeje vjen në një kohë kur partitë politike po bëhen gati për zgjedhje dhe kjo çështje do të rihapet pas zgjedhjeve, kur të fillojë punën qeveria e re.

“Prandaj nisur nga ky kontekst, mendoj se nuk është e lehtë për qeverinë aktuale që të fillojë procesin. Dhe kjo mund të kthehet edhe në një temë zgjedhjesh. Mendoj se e rëndësishme është që të kemi një konsensus mes forcave politike në parlament dhe jashtë parlamentit për një dialog të tillë”.

Militantët pakistanezë kanë argumentuar prej kohësh se po luftojnë ndaj forcave të sigurisë për të ndëshkuar Islamabadin për bashkëpunimin me Uashingtonin kundër Talebanëve në Afganistan. Disa parti islamike dhe grupe konservatore në vend këmbëngulin se militantët do ta ndalin dhunën dhe do të integrohen në shoqërinë pakistaneze, sapo forcat e huaja të largohen nga Afganistani. Ekspertët thonë se qeveria duhet ta studiojë ofertën që njerëzit të shohin vetë se cilat janë synimet e talebanëve.
XS
SM
MD
LG