Lidhje

Zgjedhjet parlamentare në Pakistan


Sot në Pakistan po zhvillohen zgjedhjet kombëtare ku votuesit do të zgjedhin përfaqësuesit kombëtarë. Zgjedhjet po zhvillohen nën masa të forta sigurie të vendosura nga mijëra ushtarë të qeverisë. Këto janë zgjedhjet e para në historinë e vendit në të cilat një qeveri civile ka përfunduar mandatin e vet dhe mund t’ia dorëzoi pushtetin një qeverie tjetër civile.

Votimet e sotme ndodhin ndërkohë që ditët e fundit dhuna ka përfshirë disa rajone të vendit.Talebanët kanë kryer sulme të shumta për të minuar votimet dhe kanë thënë se ata do të aktivizojnë sulmues vetëvrasës për zgjedhjet kombëtare. Megjithatë, shumë votues thonë se zgjedhjet janë shumë të rëndësishme dhe pjesëmarrja në to është kritike.

“Pavarësisht nga kërcënimet unë do të votoj, do ta hedh votën time për përmirësimin e Pakistanit dhe për brezat e ardhshëm”.

“Unë do të votoj pavarësisht nëse do të ketë shpërthime apo jo. Është e drejta jonë të votojmë. Unë do të votoj në mënyrë që problemet e Pakistanit të zgjidhen”.


Pavarësisht nga rrëzimi gjatë një aktiviteti të fushatës zgjedhore këtë javë, udhëheqësi i partisë Lëvizja e Pakistanit për Drejtësi, Imran Khan vazhdon të sfidojë dy partitë e mëdha pakistaneze që kanë dominuar për një kohë të gjatë politikën në këtë vend. Nga spitali, zoti Khan po u bën thirrje njerëzve të votojnë për partinë e tij.

Ish-kryeministri Navaz Sharif drejton Lidhjen Muslimane të Pakistanit, e cila pritet të marrë shumicën e votave, ndërkohë që kandidatët konkurrojnë për 272 vende në Kuvendin Popullor.

Anketat tregojnë se Partia Popullore e Pakistanit është mbrapa dy konkurrentëve të saj kryesor.

Fituesit e zgjedhjet parlamentare do të ngarkohen me përgjegjësin për të udhëhequr vendin i cili vuan nga dështime periodike të pushtetit qëndror, ekonomia e dobët, kryengritja e talebanëve dhe korrupsioni politik.

Analistët presin që ish kryeministri Navaz Sharif të jetë fitues i zgjedhjeve historike parlamentare që po zhvillohen sot.
XS
SM
MD
LG