Lidhje

Mbi 40 të vrarë në një sulm në Pakistan


Policia tha se gjashtë persona me motoçikleta kishin zënë pritë dhe pasi hynë në autobus, qëlluan mbi pasagjerët me armë automatike

Autoritetet pakistaneze thanë se një sulm i armatosur mbi një autobusë në Karaçi, la pas vetes të paktën 43 të vrarë. Viktimat i takonin komunitetit pakicë shiit, Isamili.

Shefi i policisë krahinore Ghulam Haider Jamail tha se gjashtë persona me motoçikleta kishin zënë pritë dhe pasi hynë në autobus qëlluan mbi pasagjerët.

Dëshmitarët i thanë policisë se pasagjerët pandehën që personat e armatosur donin të plaçkitnin prandaj ofruan gjithçka që kishin, përfshirë telefonat celular dhe paratë, duke u lutur për jetët e tyre. Por, sulmuesit pasi urdhëruan pasagjerët të ulin kokat, qëlluan mbi ta me armë automatike. Sulmuesit, sipas dëshmitarëve, u kursyen jetën dy fëmijëve dhe shoferit të autobusit duke i urdhëruar atij që të dërgojë autobusin në spital.

Të paktën 16 gra ishin në mesin e të vrarëve.

Sulmuesit ikën nga vendi i ngjarjes, ndërsa autoritetet bllokuan zonën duke transportuar të plagosurit për në spitale.

Ndërkohë, shefi i ushtrisë pakistaneze, gjenerali Raheel Sharif, anuloi udhëtimin e tij për në Shri Lankë për shkak të sulmit mbi autobusin në Karaçi.

Komuniteti Ismaili në Pakistan, konsiderohet si përparimtar dhe thellësisht jo politik, pjesëtarët e të cilit punojnë kryesisht në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.

Ende asnjë grup nuk ka marrë mbi vete përgjegjësinë për sulmin e së mërkurës.

XS
SM
MD
LG