Lidhje

Pakistani rishikon marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n


Pakistani rishikon marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n
Pakistani rishikon marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n

Pakistani thotë se po rishikon marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n në përgjigje të një sulmi dje para agimit kundër dy postave ushtarake në rajonin veriperëndimor të vendit. Në këtë sulm mbetën të vrarë 26 ushtarë pakistanezë dhe u plagosën 14 të tjerë.

Kryeministri pakistanez Jusuf Raza Gilani dhe udhëheqës të lartë ushtarakë dhe qeveritarë diskutuan gjendjen në një takim urgjent të mbajtur dje vonë.

Në një deklaratë zyrtare ata thanë se qeveria e Pakistanit “do të rishqyrtojë dhe do të rishikojë të gjitha programet, aktivitetet dhe marrëveshjet e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe ISAF-in, përfshirë marrëveshjet diplomatike, politike, ushtarake dhe të zbulimit”. Ata bënë thirrje për “masa të forta dhe urgjente kundër elementëve përgjegjës për këtë agresion”.

Zoti Gilani tha se vrasjet ishin “një sulm kundër sovranitetit të Pakistanit” dhe shefi i shtabit të ushtrisë pakistaneze, gjenerali Ashfaq Pervez Kajani dënoi sulmin si “akt të hapur agresioni dhe të papërgjegjshëm”.

Pakistani ka mbylluar të gjitha rrugët e furnizimit për NATO-n që kalojnë përmes territorit të tij për në Afganistan dhe ka dhënë urdhër që Shtetet e Bashkuara të largohen nga një bazë ajrore në provincën jugperëndimore të Beluçistanit brenda 15 ditësh. Thuhet se Agjencia amerikane e Zbulimit, CIA, përdor bazën ajrore Shamsi për sulmet sekrete me avionë pa pilot në unazën fisnore të Pakistanit, por ushtria pakistaneze tha në muajin qershor se Shtetet e Bashkuara nuk veprojnë nga ajo bazë.

Shtetet e Bashkuara thonë se unaza fisnore e Pakistanit shërben si strehë e sigurt për Talebanin, i cili ka luftuar për 10 vjet kundër trupave amerikane në Afganistan. Megjithatë, Uashingtoni zyrtar u përpoq të theksonte dje seriozitetin me të cilin e kanë marrë zyrtarët amerikanë incidentin.

XS
SM
MD
LG