Lidhje

Palestinezët në Jeruzalemin lindor


Shumë palestinezë që jetojnë në Jeruzalemin lindor prej kohësh kanë hedhur poshtë mundësinë e marrjes së shtetësisë së plotë izraelite, duke e parë këtë si tradhëti ndaj kauzës së tyre politike, që është formimi i një shteti palestinez me Jeruzalemin lindor si kryeqytet të tij. Por ndërsa kjo ëndërr mbetet e paarritshme, gjithnjë e më shumë palestinezët po aplikojnë për shtetësinë izraelite. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke njofton se vendimi është i vështirë për shumë palestinezë të cilët thonë se duhet të jenë praktikë në lidhje me këtë çështje.

Palestinezët që kërkojnë shtetësinë izraelite zakonisht thonë se nuk kanë zgjedhje tjetër.


Kjo mësuese palestineze, që nuk pranoi të identifikohet, thotë:

"Kam një ndjenjë të keqe, sepse preferoj të kem pasaportën e vendit tim, si palestinez në Jeruzalem, pra një pasaportë palestineze. Por për fat të keq unë nuk mund ta marr një të tillë. Por të paktën kam diçka që më lidh më shumë me Jeruzalemin".

Ndërsa disa palestinezë thonë se shtetësia u mundëson atyre që të gjejnë punë më të mirë dhe të kenë më shumë përfitime, të tjerët nuk pajtohen.

Ghassan Nofal, banor në Jeruzalemin Lindor thotë:

"Për dikë që ka fëmijë, shpenzime, një shtëpi, një dyqan dhe të gjitha këto gjëra, shtetësia nuk mund të ndihmojë. Në qoftë se ata na japin një pasaportë dhe na marrin identitetin, për mua kjo është e njëjta gjë."

Kjo nuk ka të bëjë me përfitimet. Shtëpitë në periferi të disa palestinezëve në Jerusalem ndahen nga pjesa tjetër e qytetit me një mur betoni që Izraeli e ndërtoi 10 vjet më parë, pas një vale shpërthimesh vetëvrasëse. Këta palestinezët kanë frikë se mund të humbasin qytetarinë e Jeruzalemit.

Shifrat e Ministrisë së Brendshme të marra nga agjencia e lajmeve Reuters, tregojnë se ka pasur 1434 aplikime për pasaporta në vitin 2012-2013, prej të cilave 189 janë miratuar. Shumica e pjesës tjetër janë ende duke u përpunuar.

Amnoni Ramon, i Institutit për studime izraelite, në Jeruzalem, thotë:​

"Ne po përjetojmë një rritje të numrit të personave nga Jeruzalemi që kanë status të banimit të përhershëm në Izrael, të cilët janë duke kërkuar shtetësinë izraelite. Se sa e madhe është kjo rritje, kjo është e diskutueshme."

Zyrtarët palestinezë që kërkojnë një shtet i cili do të përfshinte territorin e Jeruzalemit lindor janë të shqetësuar.

Khalil Tafakji ka qenë anëtar i grupit negociues palestinez.

"Ekziston një rrezik i madh që nëse situata vazhdon, çfarë u mbetet palestinezëve për të negociuar? Ata duan të negociojnë në lidhje me tokën – këtë ka kohë që e kanë humbur. Ata duan të negociojnë për popullatën dhe popullsia po humbet."

Ndikimi demografik mund të jetë edhe më i gjerë, thonë ata, kur konsiderojnë se bijtë e atyre që bëhen izraelitë janë të lindur shtetas izraelitë. Zyrtarët në Jeruzalem mohojnë se demografia do të ndikojë në bisedimet e Izraelit me palestinezët.

XS
SM
MD
LG