Lidhje

Vazhdon beteja ligjore për pallatin afër Ujit të Ftohtë


Banorët kërkojnë qartësi dokumentash, veprimesh dhe kompensime. Gjykata heq rrethimin.

Gjykata Administrative në Vlorë urdhëroi heqjen e rrethimit nga pallati Jon pranë Ujit të Ftohtë. Inspektoriati i Ndërtimit ka gjetur në këtë objekt shkelje ligjore, që mund të shkojnë deri në rrëzimin e pallatit. Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) dhe pronarët e kompleksit Jon po vazhdojnë betejën gjyqësore mbi ligjshmërinë e këtij ndërtimi në bregdetin e Vlorës.

Një javë më parë policia dhe Inspektoriati Ndërtimor bllokuan ndërtimin dhe ndaluan hyrjen e banorëve në objekt, por pas ankesave të këtyre të fundit, gjykata administrative hoqi dje bllokimin e pallatit shumëkatësh në zonën e Ujit të ftohtë në Vlorë. Gjykata urdhëroi që INUK të heqë shiritat e sekuestros, ndërsa policia të heqë postbllokun.

Ankesat e banorëve u shqyrtuan edhe nga inspektorë të Avokatit të Popullit, të cilët hetuan në të gjitha institucionet që po merren me këtë cështje. Gjykata u la 10 ditë kohë banorëve që të paraqesin padinë e themelore mbi veprimet e deritanishme. Palët janë të detyruara të vënë në dispozicion të banorëve dokumentacionin.

Përfaqësues të Inspektoriatit të ndërtimit, të banorëve dhe ndërtuesve po bëjnë kujdes me deklarimet në media dhe janë përqëndruar më shumë tek ballafaqimi dhe beteja e dokumentave. Ndërkohë ish-drejtuesi i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Gjergj Bojaxhiu, thotë se Inspektoriati i konstatoi shkeljet e këtij objekti qysh në themel disa vjet më parë, kur sapo u bë rrethimi i vendit. Sipas tij, nga verifikimet doli se pronësia ishte tepër e dyshimtë, një pjesë e asaj që ishte hipotekuar si pronë tokë binte në det, ishte pjesë e detit, dikush në procedurat e pronësisë kishte mundur të hipotekonte det, disa metra katrorë det; së dyti, në planin urbanistik të Vlorës te ajo zonë nuk lejohej ndërtimi.

Zoti Bojaxhiu thotë se Inspektoriati bëri kallzim penal në atë kohë kundër bashkisë së Vlorës, zotit Shpëtim Gjika si kryetar i bashkisë dhe kryetar i KRT së Vlorës dhe stafit të krt. Dosja iu dërgua prokurorisë, padia u ngrit kundër bashkisë për shkelje ligji, sepse nuk mund të paditej një objekt i cili kishte marrë një leje, pavarësisht se leja ishte në kundërshtim me ligjin dhe duhej që gjykata të merrte masa të mëtejshme.

Ish drejtuesi i inspektoriatit ndërtimor, Bojaxhiu, mendon se shteti ka dështuar në menaxhimin e territorit gjatë tranzicionit, duke toleruar mijëra ndërtime të paligjshme, ndërsa korrupsioni në gjykata e ka mbrojtur këtë paligjshmëri. Sipas tij, ekzekutivi duhet të shprehet me një plan të qartë se si do ta menaxhojë bregdetin, kriteret e vlerësimin e gjykimin e objekteve të ndërtuara pa leje ose të ndërtuara me leje të dyshimta, apo me leje të pjesshme dhe më pas janë mbindërtuar mbi lejet...

Qeveria e re e ka vendosur menaxhimin e territorit si një sfidat qendrore të punës së saj. Në Shqipëri industria e ndërtimit ka qenë prej shumë vitesh ka qenë shtylla kryesore e ekonomsë, por prapa kësaj shtylle janë fshehur shpesh shkelje ligjore urbanistike, të cilat shteti nuk ka qenë i fuqishëm t'i parandalojë ose t'i ndëshkojë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG