Lidhje

Shteti Islamik rimerr qytetin e Palmirës


Sipas një grupi monitorues, sot beteja për Aleppon i është afruar pothuajse fundit, ndërsa forcat rebele po tërhiqen edhe nga pozicionet e tyre të fundit. Pas disa disfatash në Siri dhe Irak, Shteti Islamik hyri ndërkohë sërish dje në qytetin e lashtë të Palmirës. Militantët kanë shfrytëzuar mundësinë për të rimarrë qytetin në Sirinë qendrore, ndërsa forcat qeveritare me mbështetjen e Rusisë po luftojnë për të marrë plotësisht kontrollin e Aleppos, në veri të vendit. Vendet perëndimore kanë akuzuar Rusinë se nuk po përmbush objektivin e luftimit kundër xhihadistëve.

Pavarësisht një valë sulmesh ajrore ruse, Shteti Islamik rimorri dje Palmirën dhe dëboi forcat qeveritare nga qyteti i shpallur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë botërore. Ky është avancimi i parë madhor i militantëve pas gati një viti zmbrapsjesh në Siri dhe në Irak. Ata u detyruan ta braktisin Palmirën në muajin mars, duke lënë pas dëmtim dhe artifakte të shkatërruara me një histori 2 mijë vjeçare.

Ndërsa Shteti Islamik ndërmorri këtë lëvizje në jug të vendit, forcat qeveritare dhe ato ruse janë duke kryer një ofensivë madhore kundër rebelëve në Aleppo dhe në Raqqa.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter kritikoi Rusinë.

“Rusia tha se do të luftonte edhe ISIL-in. Por, nuk bëri asgjë të tillë dhe tashmë vetëm ka ndezur më keq luftën civile dhe ka zgjatur vuajtjet e popullit sirian.”

Zoti Carter i tha audiencës të shtunën në Bahrein se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë edhe 200 ushtarakë të tjerë në Siri, për t’iu bashkuar 300 forcave speciale amerikane që veprojnë atje. Ushtarakët amerikanë po organizojnë dhe trajnojnë forcat vendase që luftojnë kundër Shtetit Islamik.

Ndërkohë, Rusia po ndihmon qeverinë të rimarrë qytetin Aleppo, duke detyruar rreth 50 mijë civilë të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm gjatë dy ditëve të fundit.

“Pasi të largohen civilët, ushtria siriane do të vazhdojë operacionet për të çliruar lagjet e Aleppos dhe militantët do të dëbohen ose shkatërrohen.”

Presidenti Bashar al-Assad i konsideron militantë dhe terroristë të gjithë ata që i kundërvihen.

Dje, Sekretari britanik i Mbrojtjes Michael Fallon bëri thirrje që Rusia të ndalojë luftën kundër opozitës siriane.

“Vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë të përdorë influencën e saj për të ndaluar këtë luftë civile dhe të na ndihmojë për të rindërtuar Sirinë, me një qeverisje vërtet pluraliste që do të përfaqësojë të gjithë popullin sirian, dhe që do të na mundësojë të përballemi me DAESH-in.”

Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump ka thënë se administrata e tij do të luftojë për shpërbërjen e grupimit militant, por se nuk do të përfshihet në luftën civile siriane.

XS
SM
MD
LG