Lidhje

Panairi i Frankfurtit sjell prodhimet e fundit të makinave të së ardhmes


Panairi i Frankfurtit sjell prodhimet e fundit të makinave të së ardhmes
Panairi i Frankfurtit sjell prodhimet e fundit të makinave të së ardhmes

Në se doni të dini si do të duken makinat e së ardhmes sot, atëherë Panairi i Frankfurtit ja u shuan kuriozitetin. BMW, Ford, Fiat, Mercedes and Chrysler po tregojnë prodhimet e fundit dhe modelet e konceptuara në një nga ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme të industrisë automobilistike.

Prodhuesit e makinave në botë po e hedhin vështrimin përtej problemeve ekonomike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara në panairin e Frankfurtit dhe shumë prej tyre po përqëndrohen në makina më të pastra për ambjentin, më të vogla dhe më eficente për t’i bërë konsumatorët të tërhiqen e të fusin duart në xhepa për të paguar.

Industria, e cila vuajti nga recesioni i shkaktuar nga kriza financiare 2007-2009, e mori veten gjatë përmirësimit të ekonomisë globale në dy vitet e fundit, por tani, përballet me paqëndrueshmërinë e shkaktuar nga borxhet në Evropë dhe shqetësimet për ekonominë amerikane.

Megjithatë panairi i 64 Ndërkombëtar i Makinave është në kontrast të thellë me atë të vitit 2009 që u zhvillua gjatë recesionit.

Organizatorët thonë se 1,007 firma janë regjistruar krahasuar me 781 herën e fundit dhe besimi i kompanive gjermane është aq i madh saqë Audi po ofron një pistë për të provuar makinat.

Mercedezi i ka dhënë modelit B një pamje të re që rezulton në një shpejtësi më të madhe për një makinë familjare.

Ajo është gjithashtu e pajisur me frena që aktivizohen në rastin e një përplasje dhe ka një sistem të ri manual me 7 marshe.

Ky model është i rëndësishëm pjesërisht pasi shitet shumë në Kinë, burimi i të ardhurave për firmën Daimler. Shitjet e modelit B u rritën 140 përqind në Kinë vitin e kaluar.

Fiati, që kontrollon pjesën dërrmuese të firmës amerikane Chrysler, po tregon brezin e tretë të modelit të saj më të shitur, Panda.

BMW ka sjellë gjashtë modele të reja në panair përfshi modelin e ri të Serisë 1.
Më interesantja nga prodhuesi gjerman është makina plotësisht elektrike, i3 – e para e këtij lloji për BMW.

Megjithëse i3 dhe modeli sportiv i saj i8, janë ende në konceptim e sipër teknikisht kompania thotë se do t’i nxjerr ato në shitje në vitin 2013.

Jeep-i, prodhim I firmës Chrysler, nuk është i njohur për prodhimet miqësore ndaj amjedisit.

Megjithatë, me modelet e reja të Wranglerit and Grand Cherokee, Jeep-i thotë se po dëgjon atë që konsumatorët kërkojnë – makina që shpenzojnë më pak karburart.

Joe Vetri, drejtori i Jeepit për Europën thotë:

"Kemi përparuar. Gjithmonë jemi njohur për makinat sportive. Por ndërsa shija e konsumatorit po ndryshon të njëjtën gjë po bëjmë edhe ne. Kemi prodhuar makina të reja si Grand Cherokee, dhe Compass, duke balancuar jo vetëm pamjen e jashtme por edhe ato të brendshme me dizenjo më të mira dhe me efektshmërinë e përdorimit të karburantit. Të gjitha ato që pret konsumatori sot janë në produktet e Jeep-it."

Por prodhuesi francez Renault provon se karakteristika më e kërkuar për konsumatorin është mbrojtja e mjedisit.

Renault paraqiti katër prodhime të reja elektrike, e para prej të cilave do të fillojë të shitet në Evropë në nëntor të këtij viti për 26,736 dollarë.

Drejtori i firmës Renault për shitjet Jerome Stoll thotë:

"Ky është ndryshimi kryesor që ne kemi me prodhuesit e tjerë në Panairin e Frankfurtit. Ne jemi të vetmit që po hedhim në treg makinën e së ardhmes. Kjo makinë ka kohë që është prodhuar dhe ne jemi këtu për të njoftuar se duam të luajmë rolin drejtues në makinat elektrike dhe tani kjo makinë del në shitje muajin e ardhshëm. Ne jemi të vetmit prodhues që i kthejmë projektet në realitet.”

Renault ka ndarë shpenzimet e studimeve dhe të zhvillimit me Nisanin japonez i cili paraqiti në fillim të vitit makinën elektrike Leaf.

"Makina elektrike është një projekt i përbashkët. Ne kemi investuar në të dyja anët, në atë japoneze dhe në atë franceze. Ne ndajmë shpenzimet kërkimore me Nisanin që ka paraqitur tashmë makinën e tij Leaf. Por ne po paraqesim tani një seri të plotë me katër makina, tre prej të cilave do të dalin në treg këtë vit, dhe e katërta nga mesi i vitit tjetër. Ndryshimi pra është se Renault ka katër makina elektrike ndërsa Nisani vetëm një me ndarjen e shpenzimeve kërkimore", thotë Xherom Stoll, drejtori i firmës Renault për shitjet.

Por një makinë që vë pamjen dhe shpejtësinë përpara konsumimit të karburantit është Ferrari me modelin 458 Spider.

Kjo makinë e kuqe italiane ka një motor me 8 cilindra, 4.5 litra që arrin shpejtësinë 320 kilometra në orë. Ajo e kap shpejtësinë 100 kilometra në orë për 3.4 sekonda.

Panairi i Frankurtit është një nga ngjarjet më të rëndësishme për industrinë e automobilëve dhe konsumatorëve në botë.

Gati një milion vizitorë pritet të vijnë në panair i cili do të qëndrojë i hapur deri në datën 25 shtator.

XS
SM
MD
LG