Lidhje

100 vjetori i Kanalit të Panamasë


Kanali i Panamasë mbush 100 vjet kësaj jave. I hapur zyrtarisht në vitin 1914, kanali prej 77 kilometrash bashkohet me oqeanët Atlantik dhe Paqësor në istmin e Panamasë. Ai e bëri botën më të vogël, duke krijuar një rrugë të shkurtër për anijet e mallrave që vijnë nga lindja dhe perëndimi. Por sot, pas 100 vjetësh kanali është i mbingarkuar nga kërkesat për zgjerimin e tregtisë globale dhe mund të përballet me një konkurrencë serioze në vitet në vazhdim.

U deshën 30 vjet për ta ndërtuar, dhjetëra mijëra punëtorë – dhe më shumë se 27 milion kilogramë dinamit – dhe ai shihet një nga arritjet më të mëdha inxhinierike të shekullit 20.

Profesorja e Universitetit të Merilendit Julie Greene është autore e librit Canal Builders, (Ndërtuesit e Kanalit).

“Kanali i Panamasë është një nga ato momentet fenomenale në histori. Një shembull i përkryer i fuqisë inxhinierike dhe teknologjike të Shteteve të Bashkuara, dhe tregon me të vërtetë pjekjen e Amerikës si një fuqi botërore.”

Por puna kërkoi sakrifica të mëdha. Deri në kohën kur anija e parë kaloi kanalin, rreth 26 mijë punëtorë vdiqën, disa nga aksidentet, shumë nga malaria.

Por kanali ndryshoi tregtinë ndërkombëtare përgjithmonë, sidomos në Shtetet e Bashkuara, thotë profesori i Universitetit “George Washington” Noel Maurer.

“Sepse bëri të mundur për herë të parë që nafta nga Kalifornia dhe lëndët e drurit nga veri-perëndimi i Amerikës të eksportoheshin me fitime nga Kalifornia në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara, dhe i solli përfitime të mëdha ekonomike Shteteve të Bashkuara.

Sot më shumë se katër për qind e tregtisë së botës kalon përmes kanalit – rreth 14 mijë anije në vit. Por portat e kanalit tani janë shumë të vogla për shumë nga anijet konteniere dhe çisternat e naftës.

Eksperti për transportin Rodney McFadden thotë se anijet më të mëdha mund të jenë më të efektshme dhe fitimprurëse.

“Ato mbajnë më shumë mallra për gati të njëjtën sasi parash për milje. Janë më të mira për mjedisin dhe shtojnë tregtinë.”

Një kompani nga Hong Kongu mbështet një plan prej 40 miliard dollarësh për të hapur një rrugë alternative përmes Nikaraguas. Nëse del me sukses, mund të përbëjë një sfidë serioze për kanalin.

Por kritikët thonë se projekti është i tepërt dhe jo praktik, sidomos tani që kanali i Panamasë është në mesin e një zgjerimi prej 5 miliard dollarësh. Kur të mbarohet, portat e reja do të lejojnë anije të gjatësisë së ndërtesës Empire State të Nju Jorkut dhe të gjerë sa tre fusha basketbolli.

Kompania Autodesk me qendër në shtetin Nju Hempshir, e cila krijoi programet kompjuterike për projektin, është e gëzuar. Jo vetëm sepse zgjerimi ka krijuar mbi 250 mijë vende pune – por sepse kur të përfundojë – do të krijojë mijëra të tjera kudo në botë, thotë zëdhënësi Paul Sullivan.

“Efekti përhapës këtu është interesant për shkak se kur të përfundojë projekti dhe kur këto anije të jenë në gjendje të kalojnë në kanal, shumë më tepër qytete të botës do të garojnë për përmirësimin porteve të tyre në mënyrë që ata të mund të mbështesin anije të tilla të mëdha.”

Nga rreth 160 porteve në Shtetet e Bashkuara, vetëm 15 mund të pranojnë superçisterna nga ato që do të kalojnë nëpër kanalin e zgjeruar. Ekspertët thonë se deri në fillim të vitit 2016, ky kanal i madh do të jetë në gjendje të pranojë 97 për qind të anijeve konteniere të botës – duke dyfishuar kështu kapacitetin e kanalit dhe duke garantuar se ai do të mbetet një mrekulli e inxhinierisë edhe njëqind vjet më pas.

XS
SM
MD
LG