Lidhje

Çështja e “Dokumenteve të Panamasë”


Nxjerrja e informacionit masiv nga një studio ligjore në Panama, një vend i njohur si “parajsë fiskale” ka zbuluar se si disa nga njerëzit më të pasur të botës i fshehin pasuritë e tyre. Akuzat prekin shumë vende të botës dhe në to përfshihen disa udhëheqës botërorë.

11 milionë dokumentet e firmës ligjoreMossack Fonseca” që iu dorëzuan shtypit nga një burim anonim, zbulojnë se si njerëz të pasur dhe të fuqishëm përdorin “parajsa fiskale” si Panamaja, për t’iu shmangur taksave, për të fshehur korrupsionin, apo për t’iu shmangur sanksioneve.

“Shohim se njerëzit që duan të fshehin identitetin e tyre e kanë shumë të lehtë të krijojnë kompani sekrete të dyshimta në një numër juridiksionesh. Këtë ata e bëjnë para së gjithash për të fshehur lidhjet e tyre me paratë”, thotë Maggie Murphy, e Transparency International.

Në “Dokumentet e Panamasë” janë përmendur 12 kryetarë shtetesh, mes tyre 143 politikanë nga 50 vende të ndryshme të botës.

Në dokumentet e zbuluara thuhet se kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugsson ka fshehur miliona dollarë nga investime të padeklaruara në bankat e vendit, përmes një kompanie në një prej parajsave fiskale.

Po ashtu përmenden udhëheqës të lartë të Partisë Komuniste të Kinës- përfshirë familjen e Presidentit Xi Jinping.

Presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri, akuzohet për mbajtjen e pasurive të padeklaruara në Bahamas.

Po ashtu në dokumente shihet se Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko ka ngritur një kompani sekrete në British Virgin Islands në gusht të vitit 2014 – edhe pse në atë kohë trupat ukrainase po luftonin me forcat rebele me mbështetjen e Rusisë kur konflikti në lindje të vendit, ishte në kulmin e tij.

“Dokumentet e Panamasë” po ashtu zbulojnë një rrjet të dyshuar për pastrim parash që drejtohet nga Banka Rossiya, në krye të së cilës janë njerëz të afërt me presidentin rus Vladimir Putin dhe që aktualisht është objekt i sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Studioja ligjore nga kanë rrjedhur dokumentet, “Mossack Fonseca”, ka mohuar me forcë të ketë shkelur ligjin. Aktivistët kërkojnë hetime të mëtejshme.

“Në se kemi të bëjmë me pastrim parash, me thyerje sanksionesh, apo evazion fiskal, në këtë rast, pa dyshim që fjala është për një aktivitet të paligjshëm. Shohim se mbi 23 klientë të kësaj firme ligjore janë të përfshirë në listat e sanksioneve ndërkombëtare”, thotë Robert Palmer i Global Witness.

Shumica e të dhënave lidhet me individë të pasur nga e gjithë bota, që e fshehin pasurinë e tyre.

“Fondet e transferuara përmes sistemit financiar botëror kërkojnë bankierë, juristë, financierë. Ne këtu në Londër duhet të marrin një vedim në se jemi të kënaqur me rolin tonë në transferimin e këtyre parave të fituara përmes korrupsionit; kjo është një çështje shumë serioze, e cila kërkon përgjigje nga qeveria britanike dhe të tjerë”, thotë zonja Murphy.

Udhëheqësit botërorë do të kërkojnë përgjigje për këtë çështje tek një takim kundër korrupsionit të organizuar nga kryemnistri britanik David Cameron në muajin maj.

Por në “Dokumentet e Panamasë” janë përmendur disa ligjvënës dhe donatorë të partisë së tij konservatore, ashtu sikurse edhe babai i tij që nuk jeton më, i cili thuhet se ka transferuar pasuri familjare përmes një kompanie në Bahamas.

XS
SM
MD
LG