Lidhje

Putin komenton për "Dokumentet e Panamasë"


Presidenti rus Vladimir Putin i mohoi thëniet se dokumentet e nxjerra nga një firmë ligjore panameze, përmbajnë fakte për korrupsion mes ndihmësve të tij më të afërt, duke thënë se të ashtuquajturat “Dokumente të Panamasë” janë pjesë e fushatës së Perëndimit për të minuar Rusinë.

Duke folur sot në një forum të medias në Shën Petersburg, presidenti rus tha se dokumentet e nxjerra janë pjesë e një përpjekjeje për ta bërë vendin e tij “më të bindur” dhe për të krijuar “mosbesim brenda shoqërisë ndaj autoriteteve, institucioneve të administratës shtetërore dhe për t’i vënë ata kundër njëri tjetrit”.

Duke cituar akuzat nga themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, Putin e akuzoi qeverinë amerikane se qëndron prapa “Dokumenteve të Panamasë”, “…se pas tyre janë zyrtarë dhe nga Shtetet e Bashkuara, siç na ka treguar WikiLeaks." – citohet të ketë thënë zoti Putin. Ai tha në forumin me median se emri i tij “nuk ishte në listën e personave të përmendur në “Dokumentet e Panamasë”, prandaj ata gjetën emrat e të njohurve dhe miqve të mi”.

Sipas gazetarëve që analizuan “Dokumentet e Panamasë”, violonçelisti Sergei Roldugin, mik i ngushtë me zotin Putin që nga vitet ’70, është zbuluar të ketë lidhje me transaksione jashtë vendit, me vlerën e 2 miliardë dollarëve. Putin i doli në mbrojtje Rolduginit, duke thënë se “ai ka një numër të vogël aksionesh në njërën prej kompanive tona, ku fiton ca para, por në asnjë mënyrë miliarda dollarë.”

Putin shtoi se Roldugin ka shpenzuar nga paratë e tij për ta çuar përpara kulturën ruse dhe për të blerë instrumente muzikore jashtë vendit e për t’i sjellë ato në Rusi. "Unë jam krenar që kam miq të tillë”, - tha presidenti rus.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG