Lidhje

BE kërkoi bashkëpunimin partiak në parlament


Qeveria dhe opozita po shkëmbejnë replika prej disa javësh për heqjen apo kufizimin e imuniteteve.

Bashkimi Europian i kërkoi Shqipërisë që të votojë me mirëkuptim edhe ligje të tjera në parlament, njëlloj si miratoi ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor. Ky ishte mesazhi që ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, tha se mori nga përfaqësuesit e BE-së në takimet e fundit gjatë vizitës në Bruksel. Ministri Panariti tha se “mesazhet e Bashkimit Europian janë të qarta dhe nuk lënë shkas për keqkuptime: Vullnetet politike apo interesat partiake nuk duhet të mbizotërojnë ndaj interesave kombëtare që lidhen me integrimin e vendit në BE”.

Qeveria dhe opozita po shkëmbejnë replika prej disa javësh për heqjen apo kufizimin e imuniteteve si një provë drejtuar BE-së për vullnetin e përbashkët për të luftuar korrupsionin. Qeveria ka deklaruar se është e gatshme që të organizojë një referendum për heqjen e imunitetit, pasi opozita nuk votoi në 6 gusht. Ndërsa opozita socialiste thotë se është pro kufizimit të imuniteteve, por njëkohësisht diskutimin e një pakete ndryhimesh kushtetuese për reforma në sistemin e drejtësisë.

Komisioneri i BE-së për zgjerimin Stefan Fyle ka mbështetur bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës shqiptare për reformat institucionale. Sipas njoftimeve nga Brukseli, ai mirëpriti zhvillimet pozitive të arritura së fundi me rishikimin e kodit zgjedhor, duke e vlerësuar këtë marrëvehsje si një hap të rëndësishëm. Në takimin me ministrin Panariti ai deklaroi se Shqipëria ka një perspektivë reale të përparojë në përpjekjet për integrim europian. Zoti Fyle theksoi se dialogu politik konstruktiv nevojitet të vazhdojë për të përmbyllur reformën e rregulloreve parlamentare, krahas plotësimit të 12 rekomandimeve që janë renditur në Opinionin e KE-së, mes të cilave janë edhe forcimi i shtetit ligjor, lufta ndaj korrupsionit, dhe miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë. Ai ka thënë se rishikimi i sistemit të imuniteteve do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.
XS
SM
MD
LG