Lidhje

Kina kundër heqjes së pandave nga lista e specieve të rrezikuara


Qeveria kineze po e kundërshton vendimin e një organizate botërore të mbrojtjes së gjallesave, që pandat gjigande të hiqen nga lista e specieve të rrezikuara.

Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës tha këtë javë se i ka riklasifikuar pandat gjigande në Listën e Kuqe të Specieve të Rrezikuara, jo më si “të rrezikuara”, por si “në gjendje delikate”.

Organizata me seli në Zvicër ia atriubuoi shtimin e numri të pandave gjigande, masave që ka marrë Kina për zgjerimin e rezervateve pyjore, por zyrtarët kinezë nuk janë plotësisht të kënaqur me vëmendjen e kushtuar. Ata thonë se pandat bardhë e zi vazhdojnë të jenë të rrezikuara.

Qeveria kineze dhe Fondi Botëror i Kafshëve të Egra krijuan Rezervatin Kombëtar Natyror Wolong në Provincën Sichuan të Kinës në vitin 1980, kur numri i pandave gjigande të botës pati rënë në më pak se 1,000, për shkak të gjuetisë pa leje dhe shpyllëzimeve.

Në raportin më të fundit të Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës, thuhet se aktualisht ka të paktën 1,864 panda gjigande në gjendje të lirë, një shifër kjo më e lartë se 12 vjet më parë, kur kishte më pak se 1,600 panda.

Kina ka sot 67 rezevate pandash, një rrjet i ngjashëm me sistemin kombëtar të parqeve në Shtetet e Bashkuara dhe mbajtja e tyre në rezervate mendohet të ketë çuar në shtimin e numri të pandave.

Marc Brody, këshilltar pranë Rezervatit Natyror Wolong në Kinë, e sheh me skepticizëm raportin e Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës për popullsinë e pandave.

Ai thotë se është tepër herët të thuhet se numri i pandave në gjendje të lirë është duke u rritur. “Ndoshta jemi duke i numëruar sipas një sistemi më të mirë pandat”, tha ai. “Ndërsa qeveria kineze ka meritë dhe duhet mbështetur për përparimin e kohëve të fundit në menaxhimin e pandave në kopështe zoologjike dhe atyre të lira, nuk ka një arsye të mirëfilltë për ta ndryshuar klasifikimin në listë nga të rrezikuara në të kërcënuara”, shtoi ai. Në fakt ekosistemet për pandat po pakësohen për shkak të ndërtimit të autostradave, zhvillimit të turizimit aktiv në Provincën Siçuan dhe aktiviteteve të tjera njerëzore.”

Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës për popullsinë e pandave, po ashtu paralajmëroi se ndryshimet e mjedisit mund ta pakësojnë ndjeshëm numrin e pandave në të ardhmen. Sipas grupit, ndryshimet klimatike mund të çojnë edhe në zhdukjen e më tepër se 35 për qind të mjedisit ku gjallojnë këta arinj në Kinë deri nga fundi i shekullit.

Në Listën e Kuqe për speciet e rrezikuara të Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës përfshihen 82,954 specie bimësh dhe kafshësh. Thuajse një e treta e tyre, rreth 23,928 rrezikohen të zhduken.

XS
SM
MD
LG