Lidhje

Paneta: SHBA do të vendosin më shumë luftanije në Azi


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Paneta, thotë se Shtetet e Bashkuara do ta zhvendosin pjesën më të madhe të anijeve të tyre në rajonin e Azi-Paqësorit gjatë disa viteve të ardhshme si pjesë e “ribalancimit” ushtarak për të garantuar praninë e fortë dhe të vazhgueshme të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sara Shonhard na informon nga Xhakarta
se zoti Paneta tha dje se Shtetet e Bashkuara do të zhvendosin 60 përqind të flotës së tyre të Azi-Paqësorit deri në vitin 2020. Aktulisht, flota amerikane ka 285 kryqëzorë, destrojerë , anije luftarake dhe nëndetëse që janë të ndara barabar në rajonet e Atlantikut dhe Paqësorit. Sekretari Paneta ua paraqiti planin dje aleatëve rajonalë në forumin vjetor për sigurinë në Singapor.

“Strategjia jonë për të realizuar qëllimet afatgjata në rajonin e Azi Paqësorit është të vazhdojmë angazhimin e vendosur në parimet e përbashkëta, parime që promovojnë rregullat dhe rendin ndërkombëtar për avancimin e paqes dhe sigurisë në rajon”.

Shkurtimi i buxhetit të mbrojtjes do të ulë shpenzimet e Pentagonit me 487 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhëshme, por zoti Paneta tha se Shtetet e Bashkuara do të përdorin burimet e tyre për të avancuara teknologjinë e sistemeve të armatimit dhe të zëvendësojnë anijet e vjetra me anije të reja, më të avancuara.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të ndërtojnë marrëdhënie të qendrueshme ushtarake me Kinën. Pekini ka shtuar me shpejtësi praninë e tij në rajon, krahas asaj amerikane, por zoti Paneta u përpoq të shmangte përshtypjen se ribalancimi i pranisë amerikane është një mënyrë për të sfiduar fuqinë në rritje të Kinës në rajonin e Azi – Paqësorit.

Unë e hedh krejtësisht poshtë këtë pikpamje. Përpjekjet tona për të përtërirë dhe intensifikuar angazhimin tonë në Asi janë plotësisht në përputhje me zhvillimin dhe rritjen e Kinës”.

Kina ka demonstruar fuqinë e saj ushtarake në rajon vitet e fundit, mes të tjerash, duke shkaktuar mosmarrëveshje teritoriale për burimet e Detit të Kinës Jugore. Megjithëse Filipinet, Vietnami dhe disa vende të tjera kanë pretendimet e tyre në ato ujra, Kina pretendon se ato burme i përkasin vetëm asaj.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, thesoi se çelsi i zhvillimit paqësor, të begatë dhe të sigurt të rajonit të Azi – Paqësorit është respektimi i ligjeve të kufijve detarë që kanë mbizotëruar në rajon për dekada me radhë.
XS
SM
MD
LG