Lidhje

Ceremoni në Bagdad për fundin e misionit ushtarak amerikan në Irak

  • Zëri Amerikës

Ceremoni në Bagdad për fundin e misionit ushtarak amerikan në Irak

Ceremoni në Bagdad për fundin e misionit ushtarak amerikan në Irak

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta drejtoi një ceremoni e cila shënoi fundin e misionit ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Irak, pas një lufte pothuajse 9 vjeçare dhe pas vdekjes së afro 4 mijë e 500 ushtarëve amerikanë.

Ceremonia e sotme në Bagdad vjen pak javë para afatit përfundimtar të datës 31 dhjetor për largimin nga Iraku të trupave amerikane që ende ndodhen atje.

Gjatë ceremonisë, ushtarë amerikanë paketuan flamurë si përgatitje për largimin.

Sekretari Panetta u tha trupave të pranishme në ceremoni se ata duhej të ishin krenarë për arritjet e tyre në Irak.

“Ju do të largoheni me krenari, një krenari e cila do të zgjasë, të bindur se sakrifica juaj ka ndihmuar popullin e Irakut të nisë një kapitull të ri në histori, i lirë prej tiranisë dhe plot shpresë për përparim dhe paqe, veçanërisht për brezat e ardhshëm.”

Zoti Panetta tha se misioni i forcimit të Irakut në mënyrë që të mund të mbrojë veten është kthyer në realitet. Por, ai paralajmëroi se do të ketë ende vështirësi për t’u përballuar.

“Iraku do të përballet në ditët që do të pasojnë me terrorizëm, me ata që kërkojnë përçarjen, me probleme ekonomike dhe sociale, me kërkesat e vetë demokracisë. Sfidat do të vazhdojnë por Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë të gatshme për t’i qëndruar pranë popullit irakian, ndërkohë që ai përballet me ato sfida për të ndërtuar një komb më të fortë e më të begatë.”

Dje, Presidenti amerikan Barak Obama mori pjesë në një ceremoni nderimi për trupat që shërbyen në Irak dhe tha se Shtetet e Bashkuara po lënë pas një shtet irakian sovran, të qëndrueshëm dhe të sigurtë në vetvete. Gjatë fjalimit të tij në bazën ushtarake Fort Bragg të Karolinës së Veriut, ai e cilësoi atë si një “arritje të jashtëzakonshme”.

Zoti Obama tha se e ardhmja e Irakut është tani në duart e popullit irakian.

XS
SM
MD
LG