Lidhje

Pano: Veprimet e zyrtarëve shqiptarë kanë tone të rehabilitimit të Hoxhës

  • Ilir Ikonomi

Profesori i historisë Nikolla Pano i tha Zërit të Amerikës me telefon nga Macomb i shtetit Illinois se ishte i skandalizuar nga disa veprime të zyrtarëve të lartë në Shqipëri, që sipas tij kishin tone të përpjekjeve për rehabilitimin e Enver Hoxhës. Në një intervistë me kolegun tonë Ilir Ikonomi, ai tha se është i nevojshëm një rishkrim ose rivlerësim i Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Profesor Pano është marrë prej një kohe të gjatë me studimin e historisë së Ballkanit dhe të çështjeve shqiptare.

ZËRI I AMERIKËS: Një numër zyrtarësh të lartë në Shqipëri, duke përfshirë kryetarin e parlamentit, një ish-kryeministër dhe ministrin e drejtësisë, janë përfshirë kohët e fundit në veprime që janë parë gjerësisht si përpjekje për rehabilitimin e ish-diktatorit Enver Hoxha, duke shkaktuar alarm mes atyre që vuajtën nën komunizëm. Si i shikoni ju këto incidente?

PROF. NIKOLLA PANO: Ajo që më bën përshtypje është një mungesë ndjeshmërie, siç e shikoj unë, nga ana e këtyre udhëheqësve. U skandalizova sidomos nga fakti që ministri i Drejtësisë, zoti Nasip Naço, mori pjesë në njërën nga këto ceremoni që kishte tonet e rehabilitimit ose përpjekjeve për rehabilitimin e Enver Hoxhës. Zoti Naço nuk duhet të harrojë se ishte Enver Hoxha ai që eliminoi ministrinë e Drejtësisë në vitin 1966, me deklaratën se në Shqipëri ishte vendosur ligjshmëria socialiste. Ishte gjithashtu Enver Hoxha, i cili me ardhjen në fuqi e përmbysi sistemin shqiptar të drejtësisë, duke e bërë atë pjesë të aparatit të terrorit. Unë e kam të vështirë të përfytyroj një ministër shqiptar të drejtësisë të nderojë kujtimin e Enver Hoxhës. Përsa i përket zotit Pandeli Majko, ai ndonjëherë vepron pa u menduar për pasojat e asaj që bën dhe që thotë. Mendoj se ai bëri një gjest për të ardhur keq në ceremoninë e 5 majit. Përsa i përket kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, ai, pasi reflektoi mbi pjesëmarrjen në njërën nga këto ceremoni, në një farë mënyre bëri një farë sprapsjeje përmes zëdhënësit të tij, duke thënë në thelb se duhet parë me një sy të ri periudha e luftës dhe se këto ngjarje duhen vështruar nga një kënd më realist dhe bashkëkohor. Reagimi im është se unë u befasova dhe u skandalizova. Shpresoj se udhëheqësit që morën pjesë në këto ceremoni do të reflektojnë me shumë kujdes përpara se të mbështesin ose të marrin pjesë në veprimtaritë e mëvonshme, si 70-vjetori i Kongresit të Beratit, hyrja e ushtrisë çlirimtare në Tiranë, apo evakuimi i ushtrisë gjermane nga Shqipëria. Të gjitha këto ngjarje duhen peshuar me shumë kujdes, sepse aty do të ketë nga ata që janë nostalgjikë të Enver Hoxhës, prandaj zyrtarët e lartë duhet të reflektojnë me kujdes se si do të marrin pjesë në këto veprimtari.

ZËRI I AMERIKËS: Zoti Pano, zyrtarët në fjalë thonë se ata në të vërtetë po nderojnë luftën dhe jo ndonjë individ të veçantë, pra jo diktatorin Hoxha. A mendoni se ky argument i tyre ka vlerë?

PROF. NIKOLLA PANO: Mendoj se është vështirë të dalësh me një argument të tillë, sidomos për arsye se përkrahësit e Hoxhës i përdorin raste të tilla për të nxitur opinionin publik në drejtim të rehabilitimit të tij. Është e vërtetë se gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri mbizotëruan dy tema kryesore: njëra ishte lufta kundër fuqive të Boshtit, që kishin pushtuar vendin, por pati gjithashtu edhe luftë për pushtet. Për shembull, po t'i hedhësh një vështrim konferencave të ndryshme të mbajtura në atë kohë, vemë re se sa më shumë që i afrohemi viteve 1944 dhe 45, aq më tepër komunistët i përdorën këtë ngjarje për të forcuar pushtetin e tyre. Prandaj, megjithëse ngjarje të tilla si çlirimi i Tiranës duhen përkujtuar, ka rëndësi të dorës së parë që pjesmarrësit në këto ceremoni ta përcaktojnë mirë natyrën e pjesëmarrjes së tyre.

ZËRI I AMERIKËS: Në këto rrethana, në ç'masë është i nevojshëm rishkrimi i historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri?

PROF. NIKOLLA PANO: Mendoj se patjetër është i nevojshëm një rishkrim ose rivlerësim i Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Është i nevojshëm një qëndrim më i balancuar, sepse për shembull, kontributi i ushtrisë çlirimtare shqiptare ishte sigurisht një fazë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, por ky kontribut nuk ishte aq me rëndësi për tërheqjen përfundimtare të trupave gjermane nga vendi sa ç'ishin disa faktorë të tjerë që i kufizuan operacionet ushtarake gjermane në atë kohë.

ZËRI I AMERIKËS: Përse, sipas jush, shoqëria shqiptare ka vështirësi për t'u distancuar nga komunizmi edhe sot pas më shumë se 20 vjetësh demokraci?

PROF. NIKOLLA PANO: Pjesërisht, vështirësia me të cilën përballet shoqëria shqiptare vjen ngaqë shumë njerëz të elitave të saj politike u rritën në periudhën e komunizmit. Megjithëse disa prej tyre e dënojnë me forcë komunizmin, për fat të keq, në praktikimin e politikës së tyre gjen ende shumë nga qëndrimet dhe mendësitë që mbizotëronin gjatë asaj periudhe. Po kështu shumë nga udhëheqësit e tanishëm të Shqipërisë kanë patur anëtarë të familjes që kanë qenë aktivë gjatë komunizmit dhe kjo ua bën atyre mjaft të vështirë që të mbajnë qëndrime më të ashpra.

ZËRI I AMERIKËS: Si do ta krahasonit në këtë aspekt Shqipërinë me vendet e tjera të Ballkanit?

PROF. NIKOLLA PANO: Mendoj se Shqipëria ka mbetur prapa disa prej vendeve të Ballkanit, megjithëse në përgjithësi në Ballkan ka qenë më e vështirë se sa në vendet e Evropës Qendrore. Edhe në vende të tilla si Bullgaria apo Rumania gjen probleme të ngjashme si këto që vërehen në Shqipëri.

ZËRI I AMERIKËS: Çfarë mund të bëjë diaspora shqiptare në Amerikë për ta ndihmuar shoqërinë shqiptare të përqafojë më tepër vlerat perëndimore për t'u shkëputur përfundimisht nga e kaluara komuniste.

PROF. NIKOLLA PANO: Shumë prej nesh në komunitetin shqiptaro-amerikan kanë bërë përpjekje të tilla dhe këtu nuk dëshiroj të përmend emra. Mendoj se qeveria shqiptare mund të inkurajojë individë të këtij komuniteti për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit në fusha të ndryshme të jetës shqiptare ku kjo është e nevojshme. Një nga këto veprimtari të komunitetit tonë ishte ngritja e një përmendoreje në Korçë për nder të ushtarakëve amerikanë që luftuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përmendorja u ngrit më 8 maj, por u indinjova kur mësova se ajo ishte përdhosur nga vandalët. Nëse këtë e ka bërë ndonjë i ri apo është vepër e grupeve neokomuniste, kjo duhet sqaruar nga policia. Por ky është një incident tragjik, i cili kërkon që qeveria të jetë më vigjilente dhe më aktive në nxitjen e edukimit civil në vend.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG