Lidhje

Papa mban fjalimin e fundit në Sheshin e Shën Pjetrit


Papa Benedikt i 16-të është i pari pas 600 vjetësh që jep dorëheqjen

Papa Benedikti i 16-të zhvilloi sot takimin e tij të fundit me besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit. Ai e përdori këtë rast për të shpjeguar edhe një herë arsyen se përse ai është papa i parë pas 600 vjetësh që jep dorëheqjen, ndërkohë që u kërkoi të pranishmëve të luten për pasardhësin e tij.

I rrethuar prej dhjetra mijëra njerëzve nga e gjithë bota, Benedikti i 16-të kaloi nëpër shesh me makinën e tij, para se të mbante fjalimin e fundit si papë në Vatikan.

Në këtë fjalim të gjatë, Papa kujtoi momente të gëzuara që prej zgjedhjes së tij në vitin 2005, por edhe kohë shumë të vështira.

Ai tha se kur u zgjodh papë më 19 prill të vitit 2005, ai pyeti se pse ishte zgjedhur, duke e cilësuar postin e Papës si "një barrë të madhe" që Zoti i kishte vënë mbi shpatulla.

Benedikti la të kuptohej se si Papë ai ishte përballur me shumë vendime të vështira.

“Dashuria për kishën do të thotë gjithashtu të kesh guximin për të ndërmarrë vendime të vështira dhe të lodhshme dhe të mendosh gjithnjë për të mirën e Kishës dhe jo tonën”, tha Papa.

Megjithatë ai tha se kur nuk u ndje i vetmuar dhe falenderoi kardinalët dhe kolegët e tij. Benedikti tha gjithashtu se Papa nuk ka jetë private.

“Kushdo që mer postin e Papës nuk ka jetë private, pasi ai i takon plotësisht dhe gjithnjë të tjerëve dhe Kishës. Përmasat e jetës private nuk ekzistojnë në jetën e Papës”, shtoi Benedikti.

Në javët e ardhshme 115 kardinalë do të zgjedhin pasardhësin e Papa Benediktit. Pasuesi i tij do të merret me një sërë çështjesh të debatueshme si korrupsioni, skandalet seksuale të një sërë priftërinjve si dhe me rënien e audiencës në kisha në vendet e zhvilluara. Një sërë vëzhguesisht thonë se për t’u marrë me këto probleme Vatikani duhet të heqë dorë nga qasja doktrinare dhe të jetë më i hapur.

Nesër Papa do të takohet me kardinalët për herë të fundit dhe pastaj do të shkojë me helikopter në banesën e tij private në jug të Romës. Atje ai do të përshëndesë besimtarë si dhe banorë të zonës nga ballkoni i banesës, akti i tij i fundit publik si Papë, para se ai të konsiderohet zyrtarisht në pension në orën 8 të mbrëmjes.

XS
SM
MD
LG