Lidhje

Papa bën thirrje për të qëndruar larg ideologjive


Papa Françesku udhëhoqi meshën e së dielës në Havanë, duke i paralajmëruar kubanët për rreziqet e ideologjisë.

Duke folur para dhjetëra mijëra kubanëve të mbledhur në Sheshin e Revolucionit, ai tha gjatë predikimit se “shërbimi nuk është kurrë ideologjik, pasi ne nuk u shërbejmë ideve; ne u shërbejmë njerëzve”, duke u kërkuar njerëzve “të mos harroni të tjerët në shkëmbim të planeve joshëse, por të merakoseni për personin që keni në krah”.

Vizita e Papa Françeskut shënon një pikë kthese për kishën katolike në Kubë, e cila u la mënjanë gjatë viteve të regjimit komunist nën Fidel Castron, por që tashmë po rifiton gradualisht peshën e saj.

Papa nuk trajtoi drejtpërsëdrejti regjimin prej dekadash të partisë komuniste, por i tha turmës se “të krishterët janë të thirrur vazhdimisht të lënë mënjanë dëshirat e tyre, apo kërkimin për pushtet, në mënyrë që t’i kthejnë sytë nga ata që janë më të cënueshëm”.

“Duhet të jemi të kujdesshëm për të mos u tunduar nga çdo lloj shërbimi tjetër që është vetëm shërbim ndaj vetes”, tha ai.

Pjesë e programit të vizitës së Papës, është edhe një takim me Presidentin Raul Castro dhe me të vëllanë e tij, 89-vjeçarin Fidel Castro, ndërsa në mbrëmje do të lutet së bashku me një grup priftërinjsh dhe do të flasë para të rinjve në një qendër kulturore. Përpara se të niset për në Uashington, Papa Françesku do të shkojë dhe në dy qytete të tjera kubane.

Kjo vizitë tre-ditore është vizita e tretë papale në Kubë gjatë dy dekadave të fundit. Kuba është vizituar në vitin 1998 nga Papa Gjon Pali II, dhe në vitin 2012 nga Papa Benedikti.

XS
SM
MD
LG