Lidhje

Papa Gjon Pali i Dytë dhe feja në Poloni

  • Jerome Socholovski

Të dielën, Vatikani do t'i japë statusin e shenjtorit Papa Gjon Palit të Dytë, i cili vdiq në vitin 2005 dhe një tjetër pape të mëparshëm, Gjonit të 23-të. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jerome Socolovsky njofton nga Krakovi i Polonisë, për entuziazmin mes katolikëve dhe shpresës së tyre se imazhi i shenjtorit polak do të mund të ndihmojë që vendi të mos ndjekë rrugën drejt laicizimit, një prirje e dukshme në Evropën Perëndimore.

Disa pika gjaku të Papës polak në një kupë të artë gjatë meshës frymëzon devotshmërinë mes besimtarëve.

Për nder të Papa Gjon Palit II janë mbajtur mesha gjatë gjithë javës, në këtë faltore të ndërtuar në periferi të Krakovit pas vdekjes së tij, në vitin 2005.

Gjatë meshës së parë, u mbajt një ceremoni përkujtimore nga ish-sekretari i Gjon Palit, kardinali Stanislaw Dziwisz:

"Ai ishte një njeri që donte Perëndinë dhe përmes Perëndisë donte çdo person."

Polonia është një nga kombet më fetare në Evropë dhe papa, i njohur fillimisht si Karol Vojtila, këtu është një hero kombëtar.

Si kardinal i Krakovit, ai mbështeti punëtorët e ish-Uzinës Lenin të çelikut kur ata kërkuan një objekt fetar për t’u lutur në atë mjedis komunist.

Marian Kordaszewski ndihmoi në ndërtimin e kishës Barka e Zotit me duar të zhveshura dhe i kujtohen vizitat e Vojtilës.

"Ai ishte një engjëll në trupin e një njeriu, ai ishte i mirë deri në themel të qenies së tij."

Prania e Papa Gjon Palit II ndihet në të gjithë Krakovin, që nga kjo kishë moderniste... tek pallati i peshkopit, ku një fotografi e tij u “flet” njerëzve nga një dritare. Si dhe në shtëpinë ku ai jetonte dhe ku takohej me trupën teatrale të Universitetit Jagiellonian, në të cilin ai studioi gjuhësi.
Këta nxënës shkollash që po vizitojnë universitin thonë se e praktikojnë besimin e tyre dhe se e duan shumë papën e ndjerë.

Por kjo është një shoqëri në tranzicion dhe Magdalena Kozak mendon se laicizmi nuk mund të ndalet:

"Sepse e gjithë bota është duke shkuar në atë drejtim!"

Olga Gorska mendon se nderimi për Papa Gjon Palin është i ekzagjeruar.

"Nuk dua të them se ai është tepër i adhuruar, por ka një lloj kulti të tij."

Ekziston gjithashtu dhe një urdhër Kalorësish të Gjon Palit II, të cilët ishin shumë aktivë gjatë ceremonive me trupin e Papës.

Krzysztow Wasowski është udhëheqësi i tyre.

"Ne kemi mundësinë të prekim një pjesë të shenjtërisë."

Por për pasuesit e devotshëm të Papës së ndjerë vitet po kalojnë dhe ruajtja e ndikimit të kishës në Poloni mund të jetë një kërkesë shumë e madhe, qoftë edhe për një shenjtor.

XS
SM
MD
LG