Lidhje

Përsëri tym i zi nga oxhaku i Kapelës Sistine


Kardinalët nuk arritën të zgjedhin dot Papën e ri në raundin e dytë dhe të tretë të votimit

Nga oxhaku i Kapelës Sistine të Vatikanit doli përsëri tym i zi, që do të thotë se kardinalët nuk arritën të zgjedhin dot Papën e ri në raundin e dytë dhe të tretë të votimit. Ata do të votojnë përsëri pasdite. Disa analistë thonë se kësaj here mund të duhen më tepër se katër votime që u deshën për zgjedhjen e Benediktit në vitin 2005.

Rezultati i votimit në Kapelën Sistine, nën muralet e famshme të Mikelanxhelos është i paparashikueshëm. Kardinalëve u duhet të zgjedhin një papë, të aftë për të spastruar nga njëra anë burakricinë e korruptuar të Vatikanit dhe nga ana tjetër për të rigjallëruar katolicizmin, në një kohë kur laicizmi është në rritje.

Disa analistë thonë se këto ndarje dhe vështirësia për t'i gjetur të gjitha këto cilësi tek një njeri i vetëm nënkuptojnë se konklava për zgjedhjen e Papës së ri, ku marrin pjesë 115 kardinalë, mund të zgjasë. Për zgjedhjen e Benediktit në vitin 2005, u deshën katër votime. Kësaj here, thonë analistët, mund të duhen më shumë.

Papa Benedikti XVI tronditi botën katolike muajin e kaluar duke u bërë papa i parë në 600 vjet që jepte dorëheqjen.

Sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit mund të shihje përsëri vizitorë, turistë dhe murgesha, në pritje të lajmit për zgjedhjen e Papës së ri.

"Le të shpresojmë se fryma e shenjtë do të na sjellë papën e ri", thotë një murgeshë nga Brazili.

Një kandidat duhet të marrë dy të tretat e votave, ose 77 për t'u zgjedhur në krye të Kishës Katolike. Sytë e njerëzve janë drejtuar nga oxhaku mbi Kapelën Sistine në pritje të tymit të bardhë.
XS
SM
MD
LG