Lidhje

Në prag të vizitës së Papës në SHBA


Deklaratat e Papa Françeskut për ndryshimet e klimës, pabarazinë ekonomike dhe emigracionin kanë ushqyer debatin politik në Shtetet e Bashkuara. Por kur Ati i Shenjtë të vijë në SHBA më 22 shtator për një vizitë pesëditëshe, ai do të gjejë mosmarrëveshje të thella Brenda kishës së tij lidhur me mesazhin kryesor të papatit të tij.

Filadelfia, që është vetëquajtur “Qyteti i dashurisë vëllazërore” po bëhet gati të mirëpresë një Papë që ka predikuar dashuri dhe gjithëpërfshirje.

Por Susan Cassidy nuk mori të njëjtin mesazh kur u takua me arqipeshkvin e Filadelfias.

“Mesazhi që morëm ishte se nëse nuk besonim në të gjitha mësimet e kishës, atëherë nuk duhej ta konsideronim veten katolikë”.

Ajo ka dy djem homoseksualë dhe beson se kisha ka qëndrim të gabuar për këtë çështje.

Në fakt, anketat tregojnë se shumica e katolikëve amerikanë janë në një mendim me Susan Cassidy dhe mendimet e tyre për abortin dhe kontraceptivët bien ndesh me doktrinën katolike.

Dhe shumë prej këtyre katolikëve mendojnë se Papa është nga ana e tyre.

“E kuptoj që Papa nuk do të ndryshojë mësimet e Kishës, të paktën për momentin, por këshilla e tij për të qenë më të njerëzishëm dhe për të folur me respekt, është shumë e rëndësishme”.

Arqipeshkvi Charles Chaput është përshkruar si antiteza e Françeskut, pasi ai miratoi pushimin nga puna të një mësueseje në një shkollë katolike, pasi ajo ishte e martuar me një grua tjetër.

Chaput foli në një konferencë për gazetarët mbi fenë muajin e kaluar për vizitën e Papës por nuk pranoi të jepte intervistë.

Por kardinali Joseph Kurtz, president i konferencës së peshkopëve amerikanë thotë se njerëzit po e keqkuptojnë Papën.

“Ndonjëherë kur njoftohet për atë që thotë Papa Françesku, të krijohet përshtypja se ai po ndryshon doktrinën dhe ai e sqaron këtë keqkuptim dhe thotë se po përpiqet të gjejë mënyra për t’ju afruar njerëzve”.

“Ai po përpiqet t’u afrohet atyre që janë të zemëruar dhe të shkëputur jo sepse po i ndryshon mësimet e kishës, por sepse po thotë se tek këto mësime ka diçka të bukur për familjen që të ndihmon të njohësh botën”.

Para një shekulli, qyteti historik i Filadelfias mirëpriti valë emigrantësh katolikë.

Por edhe një katolike e devotshme si Cassidy e humbi besimin tek hierarkia kur klerikët dolën para gjyqit për abuzim seksual.

“Ajo që mendoja unë ishte ‘ç’ndodh kur beson në gjithçka dhe papritur e pakujtuar nuk beson dot në asgjë’? Për mua personalisht ishte vështirë të vazhdoja të besoja atë që po thonin, sidomos po të kesh parasysh gjithë përpjekjet për t’i mbrojtur”.

Filadelfia ka qenë një bastion i katolicizmit amerikan dhe kisha ende nuk e ka rimarrë veten plotësisht nga vitet e skandalit dhe keqmenaxhimit. Papa Françesku do ta shohë personalisht se me çfarë përballet kisha katolike në Qytetin e Dashurisë Vëllazërore.

XS
SM
MD
LG