Lidhje

Papandreu mbështet nevojën e Eurobondeve të reja për shpëtimin e ekonomisë


Euro

Euro

Kryeministri grek tha se eurobondet e nxjerra bashkarisht nga vendet e BE-së, mund të ndihmojnë për të kapërcyer krizën

Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu tha në një konferencë për rigjallërimin e ekonomisë globale se po rritet mbështetja për krijimin e eurobondeve të reja, çka do të mundësonte vendet në krizë financiare të merrnin hua me përqindje më të ulët. Konferenca u mbajt sot në Paris dhe ishte organizuar nga ministria franceze e ekonomisë.

Kryeministri Papandreu tha se eurobondet e nxjerra bashkarisht nga vendet e BE-së, mund të ndihmojnë për të kapërcyer krizën e borxhit në vendet e eurozonës.

Megjithëse Gjermania dhe Franca, dy ekonomitë më të mëdha të eurozonës me 17 vende deri tani e kanë kundërshtuar me forcë këtë ide, Zoti Papandreu tha se eurobondet do të ndihmonin të uleshin tensionet në tregjet financiare.

"Vendet me probleme financiare dhe dobësi strukturore duke përfshirë Greqinë, do të duhet të tregohen të kujdesshëm për të rigjallëruar financat publike dhe përmirësuar aftësinë konkurruese. Eurobondet nuk mund ta zëvendësojnë këtë por mund të shërbejnë si një mjet plotësues për të zgjidhur krizën e borhit në eurozonë”, -tha zoti Papandreu.

Fokusi i krizës së borxhit evropian është zhvendosur nga Greqia në Spanjë dhe Portugali pas paketave të shpëtimit që iu dhanë Greqisë dhe Irlandës vitin e kaluar por që po i detyrojnë ato të shkurtojnë buxhetet dhe të marrin masa të vështira për rigjallërimin e ekonomisë.

"Rezultatet e deritanishme, tha kryeministri grek, nuk janë ato që do të dëshironim. Tregjet duket se ende kanë dyshime rreth vendosmërisë sonë për ta përballuar krizën dhe kjo është në kontrast me synimet tona të vërteta,” tha zoti Papandreu.

Gjermania dhe Franca thonë se nxjerrja e eurobondeve me një normë fikse interesi do të rriste koston e huave që ato marrin vetë dhe do të hiqte stimulin për disiplinë financiare në vendet me borxhe të mëdha.

Zoti Papandreu tha se nuk ka hapësirë për stimulimin e ekonomisë në nivel kombëtar, por ka hapësirë për ta bërë këtë në nivelin e Bashkimit Evropian. Ai tha se tregjet mund të qetësohen vetëm nëse binden se Bashkimi Evropian është në gjendje të stimulojë rritjen e qendrueshme të ekonomisë.

XS
SM
MD
LG