Lidhje

Të papunët amerikanë


Pesë vjet pas krizës financiare, shumë tregues sugjerojnë se mëkëmbja ekonomike është më në fund e qëndrueshme në ekonominë më të madhe të botës. Prodhimi i brendshëm bruto në Shtetet e Bashkuara po rritet me ritmin më të shpejtë në dy vitet e fundit dhe papunësia ka rënë në nivelet e para-krizës. Por megjithë parashikimet, 2014 mund të provojë të jetë një vit i vështirë për amerikanët e papunë.

Takuam Kathy Biscotti ditën e Vitit të Ri.

"Jam 51 vjeç lindur dhe rritur në Baltimore. Babai ishte hidraulik, mamaja infermiere. Kam punuar gjithë jetën time për çdo gjë që kam."

Kathy humbi punën si asistente gjashtë muaj më parë. Ajo mori çekun e fundit të asistencës së papunësisë më 31 dhjetor.

"Të martën mora 332 dollarë dhe tani më duhet të vendos çfarë të bëj me to. Në se do të paguaj qeranë nuk do më mbeten më para. "

Biscotti është një nga 1.3 milion amerikanë që përballen me të njëjtën dilemë. Kongresi lejoi që asistenca e papunësisë të ndërpritej më 28 dhjetor pasi ligjvënës konservatorë thane se zgjatja e këtyre benefiteve pas 26 javëve standarte i bën njerëzit më pak të motivuar për të kërkuar punë.

Mes tyre: Senatori republikan Rand Paul – që foli për Fox News.

“Në se e zgjat asistencën, iu bën dëm punonjësve në vend që t’i ndihmosh.”

Por përkrahësit e të papunëve thonë se kjo nuk është e vërtetë. Christine Owens, drejtoreshë ekzekutive me Projektin Ligji Kombëtar i Punësimit, thotë se shumica e 4 milionë amerikanëve që marrin asistencë kërkojnë punë.

“Këta nuk janë njerëz që ulen në kolltuk dhe shohin televizor dhe karamele. Këta janë njerëz që mundohen të gjejnë një punë tjetër.”

Biscotti aplikon për 10 deri në 20 vende pune në javë.

“Aplikova për një punë dje. Kishte 865 aplikantë të tjerë për të njëjtën punë.”

Pa asistencë, Biscotti thotë se mund të mbetet e pastrehë, ushqimet do të jenë të papërballueshme apo edhe bileta e autobuzit për të shkuar për intervista pune.
Dëshira e saj për Vitin e Ri është të gjejë një punë.

"Shpresoj që 2014 të jetë viti që gjej punë. Por nuk kam shumë shpresë. Jam e dëshpëruar, e dekurajuar dhe e turpëruar. "

Ligjvënësit e kanë zgjatur asistencën për të papunët 11 herë, diçka që presidenti Obama insiston që Kongresi duhet të bëjë përsëri kur të kthehet nga pushimet.

“Ne jemi vend më i mirë se kaq. Ne nuk abandonojmë njëri tjetrin në kohë të vështira. "

Një grup dypartiak pritet t’i propozojë kongresin zgjatjen e asistencës për tre muaj të tjerë. Por përkrahësit thonë se kjo mund të jetë e vështirë të realizohet.

Mbështetja për zgjatjen e asistencës është zbehur ndërsa ekonomia po përmirësohet. Por megjithë përmirësimin, numri i amerikanëve të papunë për 27 javë apo më gjatë u rrit në nivel rekord duke përfaqësuar gati 40 përqind të të gjithë të papunëve amerikanë.


XS
SM
MD
LG