Lidhje

Papunësia e të rinjve në Itali: shkak tensionesh midis brezave


Papunësia e të rinjve në Itali: shkak tensionesh midis brezave
Papunësia e të rinjve në Itali: shkak tensionesh midis brezave

Kryeministri i ri i Italisë Mario Monti tha se qeveria e tij do të nxisë kompanitë të punësojnë më tepër të rinj. Papunësia e të rinjve në Itali është ndër më të lartat në Evropë dhe mungesa e vendeve të punës për atë pjesë të popullsisë është një element që po shton tensionet midis brezave.

Një nga mënyrat e shumta të kalimit të kohës për Jakopo Romein është të kënduarit me grupin e tij muzikor, në lokalet xhaz të Romës. Jeta për të nuk ishte gjithmonë kaq melodike.

Ai ka patur shumë probleme më parë – duke jetuar edhe një vit në rrugë. Por ai nuk u dorëzua dhe tani është pronar i një firme konsulence, Ideato. Ai thotë se jeta po bëhet gjithmonë e më e vështirë për të rinjtë e Italisë.

“Është e vështirë. Ne gjendemi në mesin e një lloji tranzicioni, midis një tregu pune të lirë dhe një tregu pune të mbrojtur. Nuk ka rregulla të qarta. Shumë vetë janë të sistemuar prej një sistemi që nuk ekziston më, ndërkohë që askush nuk po bën përpjekje të vërteta për të zbatuar modelin e ri. Dhe është shumë e vështirë që ekstremet të përputhen.”

Analistët thonë se ato ekstreme po përçajnë shoqërinë italiane. Në tetor, të rinjtë dolën për demonstrata në rrugë, pasi një protestë e rreth 200 mijë vetëve degjeneroi në dhunë. Më pas, studentët u përleshën me policinë në shumë qytete të Italisë, duke protestuar kundër qeverisë së re.

Kryeministri Mario Monti ka premtuar masa të reja për të nxitur kompanitë të punësojnë më tepër të rinj. Por planet për të rritur moshën e daljes në pension po përkeqësojnë ndarjet midis brezave.

Majkëll Martone është profesor i së Drejtës së Punës, në Universitetit LUISS të Romës.

“Shkaku kryesor është ai që unë e quaj egoizëm brezash. Në një farë mënyre, baballarët kanë shumë të drejta dhe shumë para janë shpenzuar për këto të drejta, si për shembull ajo e pensioneve të hershme dhe shumë të tjera. Borxhi publik i Italisë renditet i treti ndër më të lartët në botë, sepse ne po shpenzonim për një nivel jetese që nuk mund t’a përballonim.”

Të dhënat zyrtare tregojnë se papunësia e të rinjve në moshat 15 deri në 24 vjeç në tetor arriti nivelin 29,3 përqind. Papunësia e përgjithshme është 8,3 përqind.

“Shumë të rinj po largohen nga Italia. Ata po shkojnë në vende të tjera, edhe sepse nuk duan të paguajnë këtë borxh kaq të lartë, për të cilin ata nuk janë shkaktarë.”

Të dhënat e fundit, tregojnë se gjysma e personave nën moshën 35 vjeçare, në Itali, jetojnë ende me prindërit. Në Romë, Jakopo Romei, jep këtë këshillë për të rinjtë e papunë.

“Duhet patur durim dhe duhet vendosur nëse do të ankohesh apo do të veprosh. Nëse të pëlqen vendi yt, atëherë kaq mjafton për të vendosur të mos ankohesh dhe të përpiqesh më shumë.”

Analistët thonë se nëse nuk rifillon rritja e ekonomisë italiane të përgjumur, të rinjtë e këtij vendi do të vazhdojnë të kenë vështirësi për të gjetur një të ardhme të sigurtë.

XS
SM
MD
LG