Lidhje

SHBA, bie papunësia


Ritmi i krijimit të vendeve të reja të punës në Shtetet e Bashkuara shënoi rënie në dhjetor ndërkohë që niveli i papunësisë u ul nga 7 në 6.7 përqind. Në dhjetor u krijuan vetëm 74 mijë vende të reja pune në krahasim me 200 mijë të krjiuara në muajin e mëparshëm. Ndërsa disa investitorë janë të zhgënjyer me këtë rënie të pamjaftueshme të papunësisë, shumë ekonomistë thonë se tregu i punës në Shtetet e Bashkuara do të përmirësohet gradualisht gjatë viteve të ardhshme.

Ekonomia amerikane ende po rimëkëmbet nga kriza më e rëndë në dekada, e cila la miliona të papunë. 10.4 milionë amerikanë ende janë pa punë, një rënie prej gati dy milionë në krahasim me vitin e kaluar.

Rimëkëmja deri tani ka ulur shkallën e papunësisë nga 10 në 6.7 përqind. Por, raporti i djeshëm ka disa lajme zhgënjyese thotë Mark Hamrick, punonjës i kompanisë Bankrate.com.

"Disa qindra mijëra njerëz kanë hequr dorë nga kërkimi i punës, që do të thotë se shkalla e papunësisë ka rënë për arsye të gabuara. Ky raport na bën të dyshojmë se rimëkëmbja nuk po ecën në mënyrën siç e kemi menduar ne."

Kryetari i Rezervës Federale Ben Bernanke thotë se ekonomia do të vazhdojë të forcohet, do të krijojë më shumë vende pune dhe do të ulë shkallën e papunësisë gjatë disa viteve të ardhshme, duke e kthyer në nivelin e para krizës.

"Shkalla e papunësisë do të bierë në mes të 6.3 dhe 6.6 përqind në tremujorin e fundit të vitit 2014 dhe më pas në mes të 5.3 dhe 5.8 për qind në tremujorin e fundit të 2016s," thotë zoti Bernanke.

Ekspertët thonë se shkalla zyrtare e papunësisë nuk llogarit miliona njerëz të cilët luftojnë të përmbushin nevojat bazë në një ekonomi me rritje të ngadaltë. Këtu përfshihen njerëzit që duan të punojnë me orar të plotë, por mund të gjejnë punë vetëm me orar të shkurtuar, dhe të tjerët të cilët kanë hequr dorë nga kërkimi, sepse nuk mendojnë se për ta ka punë.

Një eksperte thotë se përfshirja në shifrat zyrtare të punësimit e numrit të punëtorëve me orar të shkurtuar dhe atyre që kanë hequr dorë nga përpjekjet, do të jepte një pasqyrë më të saktë të nivelit të papunësisë në Shtetet e Bashkuara.

"Mendoj se shkalla e papunësisë është rreth 13 për qind. Pra, ne ende kemi një rrugë të gjatë përpara," thotë Aparna Mathur e Institutit American Enterprise.

Zonja Mathur thotë se shumë njerëzve të papunë u mungojnë aftësitë e reja që kërkohen nga punëdhënësit në një ekonomi që po ndryshon me shpejtësi, ose ata nuk kanë paratë e nevojshme për të lëvizur në qytetet ku ka punë.

Recesionet gjithmonë pushojnë nga puna mijëra njerëz, por recesioni i fundit shkaktoi pasoja më të mëdha, duke lënë 3.9 milionë njerëz të papunë për gjashtë muaj ose më shumë.

Ekonomistët thonë se punëdhënësit ngurrojnë të marrin njerëz të cilët kanë qenë pa punë për një kohë shumë të gjatë për shkak të shqetësimit se ata kanë humbur aftësitë ose shprehitë e duhura të punës.
XS
SM
MD
LG