Lidhje

Papunësia në Shqipëri: Rinia dhe shkollimi


Instituti Shqiptar i Statistikave bëri të ditur se aktualisht numri i të punësuarve është një milionë e 6 mijë e 300 persona, ndërsa numri i të papunëve 215 mijë persona, ose rreth 18 për qind e qytetarëve të aftë për punë. Të dhënat e tremujorit zbuluan se rreth një e treta e të papunëve janë të rinj deri në 30 vjeç, ndërsa pjesa tjetër janë të punësuar ose në kërkim aktiv për një vend pune.

INSTAT detajoi se periudhën e fundit të matjes hynë në punë rreth 16 mijë persona, ndërsa e humbën vendin e punës afro 22 mijë vetë. Por, krahasuar me fillimin e vitit, numri i të punësuarve është rritur me 70 mijë vetë.

Analistët shpjeguan se shkalla e pjesëmarrjes në punë është mbi 61% dhe ky tregues është rritur me 3 për qind. Pjesëmarrja e femrave në punë është rreth 50% dhe e të rinjve është 41%. punësimi i shtuar kohën e fundit u përket të rinjve me 27%, ndërsa pjesa tjetër janë punëtorë nga 30 deri në 60 vjec.

Sipas fushave, burimi më i madh i punësimit në Shqipëri vazhdon të jetë bujqësia me 43%, ku hyjnë edhe industria agro-përpunuese, pyjet dhe peshkimi. Ndërsa 22% e të punësuarve gjenden në shërbime dhe tregti. Shërbime të tjera larg tregtisë zënë 17% të punësimit.

Shkollimi zë një peshë të madhe në punësimin dhe pagat e njerëzve. Mbi 70 për qind e të punësuarve të rinj e zënë ata me universitet, dhe më pak ata me arsim të mesëm profesional. Shkollat e mesme të përgjithshme nuk parapëlqehen në tregun e punës, sepse mbizotërojnë kërkesat për shkollime profesionale.

Popullsia jashtë tregut të punës, që nuk po kërkon punë, është 770 mijë persona. Papunësia e dekurajuar është midis 12% - 20% e popullsisë ekonomikisht jo aktive, ndërsa 10 për qind janë në pension dhe 7% janë me paaftësi të përhershme.

Anketa e INSTAT-it zbuloi se kërkojnë punë në mënyrë aktive 217 mijë persona. Më tepër se gjysma e tyre kërkuan punën e tyre të parë këtë tremujor. Mbi 80 % e të papunëve u drejtohen të afërmve apo miqve/shokëve për të gjetur një punë, aplikim tek një punëdhënës dhe më pak duke ndjekur lajmërime për vende të lira pune në gazeta.

XS
SM
MD
LG