Lidhje

Paralelizmat historikë për Krimenë

  • Kent Klein

Ndërsa Moska vazhdon të pretendojë se trupat që kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Krimesë janë forca lokale vetëmbrojtëse, veprimet e tyre janë krahasuar me pushtimin e Polonisë dhe Çekosllovakisë nga Gjermania naziste dhe me ndërhyrjet amerikane në Irak dhe Afganistan. Por disa ekspertë nuk janë të një mendjeje me saktësinë e këtyre krahasimeve.

A po sillet Presidenti rus Vladimir Putin si Adolf Hitler? Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton tha kohët e fundit se pretendimi i zotit Putin sipas së cilit, Rusia duhet të mbrojë pakicat ruse në Ukrainë, ishte e ngjashme me deklaratat e Hitlerit në vitet 1930.

“...kur Gjermania në kohën e nazizmit fliste për mbrojtjen e pakicave gjermane në Poloni dhe Çekosllovaki dhe në pjesën tjetër të Evropës”.

Ky krahasim bën jehonë në Evropën qendore, thotë eksperti Jorge Benitez i Këshillit të Atlantikut.

"Sepse në atë kohë, komuniteti ndërkombëtar thjesht dënoi me deklarata diplomatike, por nuk u ngrit në këmbë të mbronte integritetin dhe territorin e Çekosllovakisë. Prandaj ndaj komunitetit ndërkombëtar ka shumë presion për të parë sesi do të reagojë ndaj përdorimit të forcës nga Rusia për të ndërhyrë në territorin ukrainas në Krime?”

Profesori i Universitetit Georgetown, Anthony Clark Arend në përgjithësi është dakord, por thotë se asnjë udhëheqës bashkëkohor nuk duhet krahasuar me Hitlerin.

“Nëse pranojmë se dikush është si Hitleri, do të thotë që duhet të reagojmë siç reaguam ndaj Hitlerit, duhet të veprojmë si në Luftën e Dytë Botërore por në fakt situata nuk është e njëjtë”.

Situatat më të ngjashme me atë të Ukrainës janë veprimet e mëparshme ushtarake në Moldavi dhe Gjeorgji, sipas James Goldgeier, dekani i Fakultetit të Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Uashington. Ai thotë se rusët, i kanë hequr nga kontrolli i qeverisë së Kievit një pjesë të territorit të Ukrainës.

“Dhe kjo është një gjendje destabilizuese për Ukrainën dhe ia vështirëson rrugën pro-perëndimore, ashtu si veprimet ruse në Moldavi dhe Gjeorgji e kanë bërë të vështirë për ato vende”.

Anthony Clark Arend beso se zoti Putin ishte më i shqetësuar për ato që e konsideroi si trazira në kufirin e vendit të tij.

“Nuk besoj se Putin donte që gjërat të shkonin kështu, nuk besoj se donte të destabilizonte Ukrainën. Mendoj se atij iu duk se situata po merrte një kthesë të rrezikshme dhe se duhet të vepronte para se të keqësohej më tej”.

Një paralelizëm i mundshëm me Ukrainën, është edhe ndërhyrja amerikane në Irak në vitin 2003. Arend thotë se edhe ajo ndërhyrje ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar”.

“Nuk kishte autorizimin e Këshillit të Sigurimit dhe nuk u krye as në përgjigje të një rreziku ekzistues apo të mundshëm ndaj Shteteve të Bashkuara”.

Por Benitez thotë se ka një ndryshim.

“Shtetet e Bashkuara ndërhynë për të rrëzuar një regjim që po ndërtonte armë të shkatërrimit në masë që komuniteti ndërkombëtar mendonte se ekzistonin dhe mund të përdoreshin për të shkaktuar dëm. Ajo që po ndodh në Krime është një lojë për pushtet nga qeveria ruse për të kontrolluar një territor të një vendi tjetër”.

Zgjidhja përfundimtare e situatës në Ukrainë do të përcaktojë sesi do të hyjë ajo në histori.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG