Lidhje

Paratë e emigratëve dhe ndikimi ekonomik


Shumë emigrantë i dërgojnë shuma të vogla parash familjeve në vendet e tyre. Por me 200 milionë emigrantë në botë, këto shuma të vogla, bëhen të mëdha. Në vitin 2013, emigrantët në të gjithë botën dërguan 400 miliardë dollarë në vendet e tyre. Në disa vende dërgesat e tyre ishin më të mëdha se sa ndihmat zyrtare për këto vende, dhe në disa raste këto fonde përbënin burimin më të madh të këmbimit të huaj. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Laurel Bowman i hedh një vështrim ndikimit të dërgesave të emigrantëve për ekonominë e vendeve.

Kur Jean Claude Kazadi dhe bashkëshortja e tij Myriam erdhën në Shtetet e Bashkuara nga Republika Demokratike e Kongos, ata menjëherë filluan të dërgonin para në vendin e tyre. Donin të ndihmonin anëtarë të familjes që ishin ende atje.

“Kështu u rritëm. Ne besojmë se duhet të mbështesim njëri-tjetrin, duhet të mbështesim prindërit tanë dhe motrat e vëllezërit.”

Jean Claude është mjek i cili punon me një program për Sidën, për Shërbimet e Ndihmës Katolike në shtetin e Merilendit. Ai viziton shpesh Kongon, dhe thotë se shpreson se po ndihmon bashkëatdhetarët e tij me punën që bën. Por ai e di se 400 dollarët në muaj që u dërgon prindërve të tij janë ndihma e vetme për ta.

“Nëse ne nuk bëjmë diçka, mendoni se do t’i ndihmojë qeveria? Jo, atyre s’u bie ndërmend për t’i ndihmuar.”

Ekonomisti Adolfo Barajas i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka studiuar ndikimin e fondeve të dërguara nga emigrantët në ekonomitë e vendeve marrëse.

“Dërgesat janë shtuar shumë nga vitet 1990 deri më 2010, më shumë se shtatë fish...”

Zoti Barajas thotë se shtimi i imigracionit sjell shtimin e dërgesave, por kjo shoqërohet edhe me probleme, pasi qeveritë mund të jenë më pak të efektshme.
Ekonomistët kanë thënë me kohë se paratë e dërguara në përgjithësi ndihmojnë familjet që i marrin, duke rritur të ardhurat e tyre. Por disa janë të shqetësuar se këto para mund të shkaktojnë rritjen e vlerës së monedhës së vendit, duke rritur çmimet dhe duke i bërë eksportet më pak konkurrues në tregun ndërkombëtar.
Por ekonomistët, duke përfshirë zotin Barajas, pajtohen se paratë e dërguara ndikojnë në shumë aspekte pozitive në ekonominë e vendit marrës. Dilip Ratha është ekspert në Bankën Botërore.

“Dërgesat janë burimi i vetëm i të ardhurave për shumë vetë, ato pakësojnë varfërinë, sigurojnë fonde për investime në biznes, investime në kapitalin njerëzor, arsimimin, shëndetin.”

Ekonomistët thonë se kur vendet janë në konflikt, si Republika Demokratike e Kongos, investitorët privatë kanë prirjen të largohen, ndërsa emigrantët shtojnë dërgimin e fondeve.

“Sepse kjo është pikërisht koha kur rriten nevojat e familjeve atje. Dhe për t’iu përgjigjur nevojave, emigrantët dërgojnë para.”

Për Myriam dhe Jean Claude Kazadi, dërgimi i parave ka domethënie sepse u tregojnë prindërve të tyre se nuk i kanë harruar, edhe pse jetojnë shumë larg nga ata.
XS
SM
MD
LG