Lidhje

Sulmi i Parisit dhe reagimi ndaj myslimanëve

  • Selah Hannessy

Pas vrasjeve që ndodhën javën e kaluar në Paris në zyrat e revistës satirike Charlie Hebdo, nevojitet "një moment qetësie", tha ditët e fundit shefi i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al-Hussein. Ai tha se feja islamike nuk është përgjegjëse për vrasjen e 12 njerëzve. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Selah Hennessy nga Londra, myslimanët në Europë kanë filluar ta ndjejnë reagimin e ashpër ndaj tyre pas sulmit në Paris.

Shefi i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad Al-Hussein foli në një ceremoni që u zhvillua ditët e fundit në Gjenevë:

“Kemi nevojë për një moment qetësie, nuk na nevojitet hakmarrja. Për sulmet e përgjakshme të disa ditëve më parë nuk mund të fajësohet as islami dhe as shumëllojshmëria kulturore në Europë, ndërsa disa udhëheqës politikë të vijës së djathtë kanë filluar tashmë të shprehen kështu."

Komentet e tij bëhen ndërkohë që disa grupe të së djathtës ekstreme në Europë kanë filluar t'i lidhin sulmet me politikat e shumllojshmërisë kulturore.

Në Britani, Nigel Farage, udhëheqësi i partisë politike të krahut të djathtë UKIP, i tha mediave se sulmi në Paris ishte rezultat i dështimit të një shoqërie shumëkulturëshe, ose siç u shpreh ai, "ekzistenca e një kolone të pestë në këto vende"

Në Gjermani, grupi politik PEGIDA, tha se sulmi tregoi se "islamikët nuk janë të aftë për demokraci".

...Dhe në Francë, Marine Le Pen, udhëheqësja e grupit të djathtë "Fronti Kombëtar", e përshkroi islamizmin si një "ideologji vrasëse".

Komunitetet myslimane në mbarë Europën e kanë dënuar sulmin. Duke folur nëpër rrugët e Parisit, banorët myslimanë shprehën zemërimin dhe frikën që ndjenin.

Osama el-Tablawy është një egjiptian që jeton në Francë. Ai thotë se autorët e sulmit nuk kanë vepruar sipas mësimeve të fesë islamike. Në se dikush të fyen me fjalë, thotë ai, duhet t'i përgjigjesh me të njëjtën mënyrë, me fjalë.

Mesoudi është një banor algjeriano-francez:

"Është e frikshme, - thotë ai, - të të mbajnë përgjegjës për sulmin".

Dr. Carool Kersten është ekspert për Studimet Islamike dhe Botën Myslimane në Universitetin "King’s College" të Londrës. Ai thotë se ka për të patur një reagim të ashpër kundër myslimanëve të Europë dhe ky reagim, thotë ai, pritet të shkojë përtej reagimit ndaj elemetëve të radikalizuar brenda komuniteteve myslimane:

“Ka një ndjenjë frike dhe shqetësimi, mes myslimanëve të zakonshëm, se mizoritë e Parisit do të ndikojnë ngeativisht jo vetëm tek imazhi i komunitetit myslimane, por edhe tek vetë pozita e tyre në shoqëritë e ndryshme evropiane."

Disa agjenci europiane lajmesh kanë vëzhguar këto ditë faqet në internet të ekstremistëve, për të parë se çfarë reagimi do të kioshte pas sulmit. Një media suedeze arriti të hyjë në një faqe Facebook-u, që thuhet se përdoret nga xhihadistët suedezë dhe përkrahësit e tyre, ku pa një numër mesazhesh në mbështetje të sulmit ndaj revistës Charlie Hebdo në Paris.

Dr. Kerstin thotë se brenda një grupi shumë të vogël myslimanësh të radikalizuar, ka disa që e mbështesin sulmin. Por, shton ai, edhe pse ekziston një marrëveshje e përgjithshme mes radikalëve, se karikaturat e profetit Muhamed nuk duhe të ishin lejuar, ekziston një mosmarrëveshje themelore lidhur me mënyrën se si duhej trajtuar kjo çështje:

“Kjo nuk do të thotë në mënyrë automatike se personat që janë fajtorë për shpifje ndaj fesë duhen vrarë. Edhe mes elementëve radikalë ka gjithashtu grupe që mbështesin veprime ligjore, ose që përpiqen të ndryshojnë ligjet që lidhen me blasfeminë, braktisjen, apo shpifjet për fenë."

Ai thotë se vrasjet në Paris duhet të nxisin një debat të përgjithshëm lidhur me çështjen se si duhet zgjidhur çështja e mos-përputhjes së vlerave mes lirisë së shprehjes dhe respektit për besimin e të tjerëve.

XS
SM
MD
LG