Lidhje

Reagime në mbarë botën për sulmet e Parisit


Udhëheqësit botërorë treguan mbështetje solidariteti pas gjashtë sulmeve të njëkohësishme terroriste gjatë natës me armë dhe bomba në kryeqytetin francez, ku pati mbi viktima.

Në Uashington, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë me të gjitha mënyrat. Ai i dënoi sulmet si një përpjekje mizore për të terrorizuar civilët:

" Franca është aleatja jonë më e vjetër. Francezët kanë qëndruar gjithnjë krah për krah me SHBA-në. Dua të jem shumë i qartë se jemi së bashku me ta në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit."

Zëvendëspresidenti Joe Biden u shpreh se “akte të tilla mizorie nuk munden të kërcënojnë atë çfarë përfaqësojmë”. Sekretari i Shtetit Kerry tha se sulmet ishin të urryera dhe të turpshme; Sekretari i Mbrojtjes Carter i përshkroi sulmet si “një veprim kundër dinjitetit tonë të përbashkët njerëzor”.

Udhëheqës të tjerë nga e gjithë bota dhanë mesazhe mbështetjeje për Francën.

“Ky sulm ndaj lirisë nuk pati objektiv vetëm Parisin, por të gjithë ne. Na shkaktoi dhimbje të gjithëve. Prandaj do t’i përgjigjemi së bashku,” tha Kancelarja gjermane Merkel.

“Në emër të popullit australian i shpreh Francës mbështetjen tonë. Mendimet dhe lutjet tona, por edhe solidariteti ynë është me ta,” u shpreh Kryeministri australian Turnbull.

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk i dënoi sulmet që synojnë të përçajnë, frikësojnë dhe të godasin vlerat e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Kryeministri britanik David Cameron i denoncoi militantët e ISIS-it si “vrasës brutalë” dhe tha se Britania do t’i dyfishojë përpjekjet për ta shkatërruar “ideologjinë estremiste”. Ai i bëri këto komente në një mbledhje urgjente të kabinetit, ku premtoi çdo ndihmë të mundshme për Francën.

Sulmet u dënuan nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, dhe përmes një deklarate të Vatikanit Papa Françesku tha se ishte shokuar nga kjo shfaqje e dhunës dhe e urrejtjes.

Sulmet gjatë natës risollën në kujtesë aktet e terroristëve islamistë në muajin janar, kur u vranë 17 persona. Në fund të këtij muaji, Parisi është planifikuar të jetë qyteti organizator i një konference ndërkombëtare për mbrojten e klimës.

XS
SM
MD
LG