Lidhje

Parisi, një ditë pas sulmeve terroriste


Në Pallatin Elize, që është rezidenca zyrtare e Presidentit të Francës që nga viti 1848, sot flamujtë ishin ngritur në gjysëm shtize, për të nderuar viktimat e sulmeve që u kryen mbrëmë në Paris nga militantë të organizatës terroriste Shteti Islamik.

Banorët e Parisit, ndezën qirinj dhe vendosën lule jashtë dy restoranteve ku u vranë me armë zjarri dhjetra njerëz nga terroristët, tek salla e koncerteve "Bataclan" dhe tek stadiumi ku po zhvillohej një ndeshje futbolli mes skuadrave të Francës dhe Gjermanisë.

Zyrtarët e Bashkisë së Parisit thanë se katër persona të armatosur vranë të paktën 87 të rinj gjatë një koncerti roku. Rreth 40 persona të tjerë u vranë në 5 vende të ndryshme po në zonën e Parisit, mes tyre restorantet "Le petit Cambodge" dhe "Le Carrillon". Po ashtu pati shpërthime vetëvrasëse me bombë jashtë stadiumit ku zhvillohej ndeshja miqësore Francë-Gjermani.

Brian Katulis, studiues në Qendrën Amerikanë për Progres, i tha Zërit të Amerikës se sulmet në Paris "duket se ishin të bashkërenduara për të shkaktuar pasoja maksimale dhe për të dërguar një mesazh. Kjo demonstron faktin se në shoqëritë e hapura ka shumë brishtësi, që mund të shfrytëzohen nga lloje të ndryshme grupesh terroriste që kryejnë veprime të tilla”.

XS
SM
MD
LG