Lidhje

Të paktën 129 të vrarë nga sulmet në Paris


Presidenti francez Francois Hollande sot i quajti sulmet terroriste në Paris një "akt lufte".

Edhe të shtunën, në orët e para të mëngjesit vazhdoi largimi i dhjetëra trupava të viktimave të vrarë nga një sallë koncertesh në Paris, ku terroristët hapën zjarr me armë automatike, duke vrarë shumë prej tyre dhe duke marrë peng dhjetëra të tjerë.

Jerome Bartelemy, i mbijetuar nga sulmi në Paris:

"Pashë një person të veshur me një kostum të zi me vija të bardha, nuk ishte më i vjetër se 25 vjeç. Ai kishte flokë ngjyrë gështenje dhe ishte shumë i qetë. Kjo vërtetë më befasoi. Në një moment mendova se ndoshta ata nuk po përdornin plumba të vërtetë, por pastaj pashë se ai qëlloi dikë dhe kuptova se po përdorte municion të vërtetë. Ata ishin në afërsi të restorantit, njëri prej tyre ndodhej më larg dhe nuk e pashë mirë".

Policia më vonë ndërmorri një operacon në ndërtesën e restorantit, duke vrarë të paktën një sulmues, ndërsa të tjerët aktivizuan bomba vetëvrasëse.

Autoritetet dislokuan ekipe shtesë të sigurisë nëpër Paris, për shkak të shqetësimeve për sulme të tjera.

Francois Hollande, President i Francës

"Kur terroristët janë në gjendje të kryejnë krime të tilla, ne duhet të jemi të sigurtë se ata do të përballen me një Francë të vendosur, të bashkuar, të përgatitur. Një Francë që nuk frikësohet, madje edhe sot kur ajo po shpreh një emocion të pafund mbi këtë tragjedi, të shkaktuar nga një vepër barbare.”

Presidentin Hollande e evakuuan nga stadiumi, ku po zhvillohej ndeshja e futbollit Francë-Gjermani, pas një sulmi vetëvrasës që ndodhi jashtë stadiumit të Parisit. Shpërthimi shtangu spektatorët.

Autoritetet thonë se nga sulmet në gjashtë vende në Paris janë vrarë të paktën 129 vetë dhe mbi 300 të tjerë janë plagosur.

Presidenti Hollande ka mobilizuar policë dhe trupa ushtarake, duke u bërë thirrje njerëzve që të qëndrojnë brenda.

Sulmi në Francë risolli kujtimet e sulmit tjetër në janar të këtij viti ndaj revistës satirike Charlie Hebdo. Persona të armatosur, të gjithë islamikë vranë 17 njerëz.

Zoti Hollande ka anuluar udhëtimin e tij në takimin e G-20-tës në Turqi që pritet të fillojë nesër.

XS
SM
MD
LG