Lidhje

Paris, hapet takimi mbi ndryshimet klimatike


Presidenti amerikan Barak Obama u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të përballen me sfidën e kohës për të ruajtur planetin

Presidenti amerikan Barak Obama u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të përballen me sfidën e kohës për të ruajtur planetin nga ndryshimet e klimës.

'Ai i bëri komentet në takimin e nivelit të lartë të OKB-së për klimën që po mbahet në Paris.

Udhëheqësit botërorë po përpiqen të bien dakord mbi masat detyruese për të mos lejuar rritjen e temperaturave globale më shumë se 2 gradë Celsius mbi nivelet përpara revolucionit industrial.

Presidenti Obama u tha udhëheqësve botërorë se përparimi që ata do të arrijnë në takimin e Parisit për klimën do të matet me "vuajtjet që do të shmangen dhe me ruajtjen e planetit.”

Ai tha se vendet e pranishme në takim ndajnë një sens urgjence për synimin e tyre – frenimin e djegies së karburanteve të ngurta dhe kufizimin e rritjes së temperaturave globale:

"Të kuptuarit tonë për mënyrën se si njerëzit po e prishin klimën po rritet dita-ditës. Katërmbëdhjetë ndër 15 vitet më të ngrohta që njihen janë ato nga viti 2000 e sipër dhe 2015 është pritet të jetë viti më i ngrohtë nga të gjithë. Asnjë vend, i madh apo i vogël, nuk është i imunizuar nga kjo që po ndodh.”

Presidenti Obama bëri thirrje për një marrëveshje të qëndrueshme mbi klimën. Kjo, tha ai, nuk duhet të jetë një masë gjysmake, por një strategji afatgjatë që i jep botës besim për një të ardhme me nivele të ulta në çlirimin e gazit karbonik.

Ai përmendi gjithashtu disa përparime që janë bërë tashmë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Presidenti Obama u bëri thirrje delegacioneve të bien dakord për një sistem që është transparent dhe u jep atyre besim se edhe të tjerët po i përmbushin angazhimet.

Agjencia e OKB-së për klimën thotë se pritet që temperaturat mesatare globale të rriten deri në 1 gradë Celsius - gjysma e kufirit që përpiqet të imponojë OKB-ja për të parandaluar efektet të cilat mund të jenë katastrofike për botën.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB Ban Ki-moon tha se samiti "duhet të shënojë një pikë vendimtare kthese" dhe se udhëheqësit "kanë fuqinë për të siguruar mirëqenien e brezit të tanishëm dhe të atyre që do të vijnë”.

UDHËHEQËSIT BOTËRORË NË PARIS

Më shumë se 150 udhëheqës botërorë, u mblodhën të hënën në Paris për takimin e lartë të Kombeve të Bashkuara me synimin për t’u marrë vesh për masat ndaj ndryshimeve të klimës dhe për të penguar rritjen e temperaturës globale në shkallë të tillë që mund të kishte ndikim katastrofik.

Ministri peruan i mjedisit Manuel Pulgar Vidal, që kishte drejtuar takimin e fundit, hapi takimin e së hënës duke thënë se një marrëveshje do t’i dëshmonte botës se vendet mund të punojnë se bashku kundër ngrohjes globale dhe terrorizmit.

Qëllimi i samitit është për të kufizuar ngrohjen mesatare globale deri në 2 gradë celsius, ndoshta më pak, në krahasim me shkallën para revolucionit industrial, me frenimin e djegies se karburanteve fosile që fajësohen për ndryshimet klimatike.

Para hapjes së takimit, presidenti amerikan Barack Obama, nënvizoi “domosdoshmërinë” e bashkërendimit në luftën kundër ndryshimit të klimës ndërmjet vendit të tij dhe Kinës, gjatë takimit me presidentin kinez Xi Jinping.

“Si dy vende me shkallë të lartë të emetimit të karbonit, ne jemi të përkushtuar ndaj faktit se është përgjegjësi e jona që të ndërmarrim veprime”, tha presidenti Obama.

Ai do të mbajë takime të ndara të hënën edhe me kryeministrin indian Narendra Modi. Së bashku, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India përbëjnë rreth gjysmën e emisioneve të dioksidit të karbonit, që shkencëtarët e kanë identifikuar si shkakun kryesor të rritjes së temperaturave globale.

Sivjet 183 shtete kanë hartuar planet e tyre afatgjate për t’u përballur me ndryshimet klimatike.

Para fillimit te takimit në Paris, qindra mijëar protestues iu bashkuan demonstratavë në gjithë botën duke kërkuar shtimin e kontrollit të mjedisit.

Protesta në Paris para fillimit të konferencës mbi ndryshimet klimatike

Protesta në Paris para fillimit të konferencës mbi ndryshimet klimatike

Veprimtarët lidhën duart në zemër të kryeqytetit francez me gjithë masat e larta të sigurisë që pasuan sulmet terroriste të Shtetit Islamik që lanë pas vetes 130 të vrarë. Protestat paqësore u shndërruan në përleshje të dhunshme ndërsa policia hodhi gaz lotsjellës. Më shumë se 200 protestues janë arrestuar.

Franca tha se rreth 2 mijë e 800 policë e ushtarë po sigurojnë sallën e konferencës Le Bourget, ndërsa 6 mijë e 300 të tjerë po patrullojnë Parisin.

XS
SM
MD
LG