Lidhje

Franca përpiqet të integrojë romët

  • Lisa Bryant

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian hoqi kufizimet e punësimit për shtetas nga Rumania dhe Bullgaria, përfshirë ndër ta edhe qindra mijëra romë. Pakica më e madhe etnike evropiane ka ndeshur probleme të shumta në BE. Kjo dallohet veçanërisht në Francë, një vend që është kritikuar shumë për dëbimet dhe deportimet e romëve. Por sot, një numër gjithnjë e më i madh komunitetesh po shprehen kundër qëndrimit të ashpër të autoriteteve dhe po përpiqen të gjejnë metoda të reja.

Një rresht me kabina të vjetra në periferi të Parisit është bërë simbol i përpjekjeve të integrimit social. Në orët e pasdites, kampimi fillon të mbushet. Burra e gra kthehen nga puna, fëmijët kthehen nga shkolla.

Të gjithë mblidhen për të përshëndetur Marie Louise Mouket, një grua që ka mbështjellë kokën me një shall shumë-ngjyrësh. Ajo drejton një shoqatë lokale të njihur si ALJ93. Shoqata përpiqet për një të ardhme për komunitetin rom në lagjen Montreuil si dhe periferi të tjera të varfra pranë Parisit.

“Synimi është të ndihmojmë familjet të realizojnë synimet e tyre. Deri tani shoqata ka shënuar disa suksese”.

Synimet duken mjaft modeste nga disa pikëpamje: të mësojmë frëngjisht, të dërgojmë fëmijët në shkollë, të gjejmë punë, të gjejmë një vend banimi. Por për 20 mijë romët që përllogaritet se jetojnë në Francë, këto janë synime shumë ambicioze. Shumë prej tyre jetojnë në kampime në gjendje të mjeruar.

Në zyrën e saj, zonja Mouket ka një hartë të Rumanisë. Ky grup romësh ka ardhur nga një fshat në pjesën perëndimore të vendit. Në vitin 2008, një zjarr shkatërroi kampimin në Montreuil. Atëherë qyteti krijoi një program për t’u gjetur punë dhe strehim përmes shoqatës IPJ93.

Richard Zamith drejton programin lokal:

“Familjet rome duhet të pranojnë të dërgojnë fëmijët në shkollë, të bëjnë vizita te mjeku dhe të përpiqen të gjejnë punë me ndihmën e punonjësve socialë. Ata nuk duhet të kenë probleme me rendin dhe nëse shkelin rregullat, përjashtohen nga programi”.

Aktualisht rreth 62 familje janë regjistruar në program. Nga familjet në kampim, afro gjysma kanë së paku një pjesëtar të punësuar. Disa prej familjeve kanë gjetur banesa jashtë kampit.

25-vjeçari Gavrila Cirpacie punon në sektorin e hotelerisë. Ai thotë se i pëlqen programi, e trajtojnë me respekt. Franca është më mirë se Rumania, pasi këtu ka gjetur punë.

Shumë prej këtyre romëve punojnë në hotele ose restorante përreth Parisit. 24-vjeçarja Gabriella Cripasi punon në një mencë në lagjen periferike Aubervilliers.

“Deri tani nuk kam qenë në gjendje të gjej punë. Më pëlqen shumë të punoj në restorant, do të doja të bëhesha kuzhinjere”.

Menaxheri i mencës Laurent Vidaller ka marrë në punë pesë romë përmes programit të integrimit. Ai thotë se ata respektojnë orarin dhe janë punëtorë.

“Eshtë e vërtetë se njerëzit shpesh mendojnë se romët kanë probleme nga tradita të tjera dhe nga imigracioni i paligjshëm. Por këto përshtypje ndryshojnë kur njihesh me to”.

Ndyrshimi i paragjykimeve për këtë grup etnik që është zhvendosur nga India që në kohë të lashta, nuk është i lehtë. Shumë francezë si dhe evropianë të tjerë mendojnë se të gjithë romët janë lypsa apo plaçkitës.

Grupe të të drejtave të njeriut thonë se steriotipet janë të pabaza dhe se romët diskriminohen në arsim, punësim dhe shërbimet publike:

Franca ka deportuar mijëra romë gjatë viteve, duke u bërë objekt kritikash nga Bashkimi Evropian. Duke filluar nga ky vit, romët nga Rumania dhe Bullgaria nuk do të kenë më nevojë për leje pune për Evropën. Megjithatë, ata mund të deportohen nëse nuk gjejnë punë. Franca nuk ka ndryshuar gjithashtu politikën e shkatërrimit të kampimeve. Philippe Goossens, ekspert mbi romët pranë Lidhjes Franceze për të Drejtat e Njeriut thotë se autoritetet franceze dëbuan afro 20 mijë romë nga kampet vitin e kaluar, një shifër dy herë më e lartë se dëbimet e 2012.

"Kjo është çmenduri, pasi dëbimet nuk zgjidhin asgjë. Thjesht i lënë njerëzit rrugëve dhe i detyrojnë të shkojnë në një lagje tjetër e të ndërtojnë një kampim të ri”.

Tani disa komunitete kanë zgjedhur një mënyrë të re; ata nuk i dëbojnë, përkundrazi po përpiqen t’i përfshijnë romët. Pjesa më e madhe e komuniteteve është në Seine-Saint-Denis, një nga zonat më të varfra të Francës, e cila ka edhe një ndër përqëndrimet më të mëdha të romëve. Komunitete të tjera si Bordoja, dhe Nanta kanë programe të ngjashme.

Ideja është se kur këto programe të zbatohen në masë, “problemi rom” nuk do të ekzistojë më. Për momentin programet kanë kosto të lartë dhe janë të kufizuara në përmasa. Por aktivistët besojnë se integrimi është opsioni i vetëm.

Nëse Franca deporton romët, ata do të kthehen përsëri. Thjesht për këtë arsye, thonë aktivistët, është me vend që problemi të zgjidhet përmes integrimit të tyre.
XS
SM
MD
LG