Lidhje

Kabineti francez diskuton për masa anti-terroriste


Presidenti francez Francois Hollande po takohet me kabinetin, ndërkohë që vendi po analizon masa sigurie pas sulmeve vdekjeprurëse të javës së kaluar në Paris.

Ministri francez i mbrojtjes tha se vendi po mobilizon dhjetë mijë forca të sigurisë për të mbrojtur popullatën, në kërkim të bashkëpunëtorëve të mundshëm në sulmet e javës së kaluar që lanë të vrarë 17 vetë si dhe tre persona të armatosur. Autoritetet franceze thanë se kërkimi i bashkëpunëtorëve është çështje e ngutshme, sepse "kërcënimi është ende i pranishëm".

Njerëzit vazhduan edhe sot të bëjnë homazhe në Sheshin e Republikës në Paris, duke sjellë lule dhe duke ndezur qirinj.

Ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, tha se mobilizimi i forcave të sigurisë do të përfundojë të martën mbrëma dhe do të përqendrohet në pikat më të ndjeshme.

"Presidenti i Republikës u ka kërkuar forcave të armatosura të marrin pjesë në mbrojtjen e zonave të ndjeshme të territorit tonë për shkak të kërcënimeve ekzistuese në vend. Për këtë arsye, ne kemi vendosur bashkë me Shefin e Shtabit të mobilizojmë 10.000 forca të sigurisë."

Sulmet filluan të mërkurën e kaluar në gazetën satirike Charlie Hebdo dhe përfunduan të premten me vrasjen e tre autorëve në operacionet gati të njëkohshme nga forcat e sigurisë.

Sipas ministrit të Jashtëm të Turqisë, e veja e njërit prej atyre që sulmuan kaloi në Siri të enjten, një ditë pas masakrës në Charlie Hebdo dhe të njëjtën ditë që bashkëshorti i saj vrau një police në periferi të Parisit.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se do të jetë në Francë të enjten dhe të premten për të diskutuar mbi masat kundër terrorizmit.

Sot në Paris, njerëzit vazhduan të bëjnë homazhe me lule dhe me qirinj në Sheshin e Republikës, në shenjë respekti për ata që humbën jetën në sulmet e përgjakshme.

Kryeqyteti francez gradualisht iu kthye normalitetit, një ditë pas marshimit të mëse një milion njerëzve nëpër bulevarde, prapa dhjetra udhëheqësve botërorë.

Tubimi për unitet është cilësuar si demonstrata më e madhe në historinë e Francës.

Sheshi i Republikës është kthyer në një vend simbolik të Parisit për nderimin e viktimave të sulmeve në zyrat e gazetës satirike, Charlie Hebdo, të atyre në një supermarket hebraik dhe të policëve të vrarë.

"Jam shumë krenare, thotë një pariziane. Jam shumë krenare dhe të gjithë e treguan se mënyra më e mirë për të luftuar kundër këtyre njerëzve është të mos kemi absolutisht aspak frikë. Ajo që të emocionon sot, është kur shikon rezultatin – njerëzit që dolën të demonstrojnë dëshirën e tyre për të patur një vend si Franca që përfaqëson aq shumë lirinë. Ata deshën të tregojnë se liria gjithmonë do të mbrohet. "

Mes masave të forta të sigurisë dhe me një numër të madh njerëzish, të krahasueshëm me numrin e atyre që dolën për të përshëndetur çlirimin nga nazistët, Parisi u bë gjatë një dite "kryeqyteti i botës".

Miliona njerëz të tjerë marshuan në qytete të ndryshme të vendit dhe të botës për të dënuar dhunën që la 17 të vrarë dhe që ndryshoi Francën.

XS
SM
MD
LG