Lidhje

Paris, takim për konfliktin izraelito-palestinez


Pas komenteve të ministrit të ri izraelit të Mbrojtjes, ultranacionalistit Avigdor Lieberman, se ai mbështet një zgjidhje me dy shtete, analistët thonë se takimi ministror i kësaj jave në Paris, që ka si qëllim dhënien fund të konfliktit izraelito-palestinez, mund të shënojë një përparim të lehtë në procesin e paqes, pavarësisht pritshmërive të ulëta.

Shkallëzimi i fundit i dhunës mes izraelitëve dhe palestinezëve sugjeron se konflikti është kthyer në një status-quo për të dyja palët.

Por duket se ka lindur një shpresë e re për përparim, pasi ministri i ri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, një ultranacionalist me qëndrime të ashpra ndaj palestinezve, tha kohët e fundit se ai mbështet zgjidhjen me "dy shtete, për dy popuj".

Më shumë se dy vjet pas dështimit të bisedimeve të paqes, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry nuk ka hequr dorë nga shpresa për një zgjidhje të qëndrueshme.

"Unë do të punoj me francezët, egjiptianët, dhe komunitetin arab. Unë do të punoj me komunitetin global në një frymë mirëbesimi në një përpjekje për të parë nëse ne mund të gjejmë një mënyrë për të ndihmuar palët drejt rikthimit në bisedime për arritjen e një marrëveshjeje për statusin përfundimtar që do të plotësonte nevojat e palëve, nevojat e rajonit", tha sekretari Kerry.

Ndërsa paralajmërojnë kundër shpresave të mëdha nga takimi, analistët thonë se zhvillimi i fundit mund të ndihmojë drejt çuarjes përpara të procesit të paqes.

"Ata mund ta bindin Izraelin që disi të pranojë në heshtje këtë ide, por shanset për një përparim ose lëvizje të madhe në procesin e paqes, mbeten mjaft të vogla", thotë Natan Sachs, analist i Institutit “Brookings”.

Takimi i Parisit, pa praninë e izraelitëve dhe palestinezëve, ka për qëllim t’i hapë rrugën organizimit të një konference ndërkombëtare për të vendosur parametra të reja për të negociuar krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit.

XS
SM
MD
LG