Lidhje

Pas marrëveshjes së Parisit


Marrëveshja për ndryshimet e klimës e arritur fundjavën e kaluar në Paris synon pakësimin e gazeve të efektit serrë për të shmangur ndikimet katastrofike të ngrohjes globale. Ndërsa marrëveshja është vullnetare dhe nuk arrin kufizimin e çlirimit të gazeve në objektivin e vënë nga shkencëtarët, ajo parashtron një plan veprimi me ndihmën e investitorëve privatë.

Në thelb të marrëveshjes së re është shkenca. Vendet pjesëmarrëse në konferencë u zotuan se do të përpiqen për pakësimin e gazeve deri në zero, thotë Niklas Hohne, i Institutit të Klimës.

“Në fakt është si të thuash, ky është fundi i epokës së përdorimit të lëndës djegëse nga hidrokarburet dhe ne duhet ta bëjmë këtë me shumë shpejtësi.”

Por planet e diskutuara në Paris nuk e arritën dot këtë synim, edhe pse klauzola të rëndësishme të marrëveshjes mbështesin një përkushtim më të madh në vite.

“Së pari: marrëveshja u kërkon të gjitha vendeve të masin çlirimin e gazeve. Kjo nuk është bërë kurrë më parë. Së dyti, vendet duhet ta monitorojnë çlirimin e gazeve dhe ta ndajnë informacionin me botën. Gjithshka do t’u përshtatet masave standarte dhe do të monitorohet dhe verifikohet nga ekspertët,” shprehet Bob Deans i Këshillit për Mbrojtjen e Burimeve të Natyrë​s.

Vendet e ndryshme do ta kontrollojnë çdo pesë vjet ecurinë e zbatimit të marrëveshjes. Por ajo është vullnetare dhe bazohet tek besimi. Aktualisht, energjia e rinovueshme nuk është një zëvendësuese realiste për naftën dhe gazin e lirë, sidomos në vendet në zhvillim, thotë Jeff Holmstead i firmës juridike amerikane Bracewell and Giuliani. ​

“Por sidomos në Azi, është e domosdoshme që njerëzit të nxirren nga varfëria, për t’u dhënë atyre shumë nga avantazhet që ne gëzojmë në vendin tonë dhe për të zbuluar se si duhet bërë kjo pa shtuar çlirimin e gazeve të efektit serrë, është diçka shumë e vështirë.”

Holmstead thotë se çmimi botëror i vendosur për karbonin, do të ndihmonte në nivelimin e gazeve. Po ashtu kjo masë do të ndihmonte në mundësitë për energji më të pastër nga institucionet financiare, qytetet dhe korporatat private. Bashkëthemeluesi i Mikrosoftit, Bill Gates premtoi në Paris se do ta mbështesë fiannciarisht nismën dhe së bashku me të edhe 28 investitorë të tjerë privatë.

“Ne po krijojmë Koalicionin Novator të Energjisë, një grup global investitorësh privatë që do të marrë mbi vete rreziqe që do t’i lejojnë kompanitë të kryejnë kërkime shkencore dhe t’i venë ato në praktikë. Ne do të folkusohemi tek kompanitë e reja, të cilat të mund t’i shtojnë me kalimin e kohës masat për pakësimin e karbonit në bizneset e tyre.”

Vëzhguesit në Paris thonë se marrëveshja e re nuk është perfekte, por është arritur përparim.

“Kjo na jep ne mundësinë të fillojmë zbatimin e masave, për të realizuar arritje nesër dhe për t’i ruajtur këto rezultate përsa kohë të jetë e mundur,” shprehet Bob Deans i Këshillit për Mbrojtjen e Burimeve të Natyrë​s.

Vendet e ndryshme do të takohen përsëri në prill për të nënshkuar marrëveshjen.

XS
SM
MD
LG